
Deputeti i Vetëvendosjes, Agon Batusha, ka reaguar pas deklaratave të Listës Serbe se dëshirojnë ta rrëzojnë nga pushteti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Batusha në Facebook ka shkruar se Qeveria Kurti nuk varet nga Lista Serbe është formuar pa votat e tyre.

Sipas deputetit kjo është arsyeja se pse Qeveria Kurti është më stabile.
“Qeveria e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe e kryeministrit Albin Kurti, është e vetmja qeveri që është formuar pa votat e Listës serbe, pa koalicion me ta dhe nuk varemi asesi dhe asnjëherë nga ata. Kjo ka bërë që Qeveria të jetë më stabile, e pa shantazhueshme nga kërcënimet e Beogradit. Në anën tjetër mos përfshirja në koalicion apo marrëveshje ka bërë që LS të humb fuqinë politike që ka pasur brenda institucioneve të Republikës”, shkruan aij.
Tutje deputeti i VV-së ka thënë se i vetmi koalicion që dëshiron rrëzimin e qeverisë është ai “PLAS”.
“I vetmi koalicion aktual është PLAS (PDK, LDK, AAK dhe LS) për rrëzimin e qeverisë legjitime të zgjedhur nga populli në mënyrë demokratike. Dëshirë kanë, ndoshta edhe ëndërr, por janë largë të bërit realitet”, përfundoi Agon Batusha.
Ndryshe, Lista Serbe, sot përmes një njoftimi për media ka thënë se dëshirojnë ta rrëzojnë nga pushteti Albin Kurtin, pasi sipas tyre Qeveria Kurti po punon kundër interesave të popullit serb.
“Lista Serbe nuk bashkëpunon me Qeverinë e Albin Kurtit, sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb dhe se qëllimi ynë politik është të rrëzojmë Albin Kurtin nga pushteti, që është në interes të të gjithëve që duan të jetojnë në paqe në këto zona”, tha kjo parti.
Kujtojmë se Lista Serbe përfaqësohet në Qeverinë e Kosovës me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq, ndërkaq po ashtu ka dhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës.











