Ka nisur protesta e kryetarëve të disa komunave të Kosovës para objektit të Qeverisë së Kosovës, e organizuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, kundër asaj që ata e cilësojnë si bllokim të kompetencave dhe fondeve komunale nga niveli qendror.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në fjalën e tij hodhi akuza të ashpra ndaj qeverisë, duke thënë se institucionet po përdoren për të dëmtuar qytetarët e komunave që nuk kanë votuar Lëvizjen Vetëvendosje.
“Një qeverisje që i shfrytëzon institucionet për t’i bllokuar qytetarët që nuk e kanë votuar VV-në është një tendencë diktatoriale dhe autokratike. Po rrëshqasim drejt kësaj, prandaj sot jemi këtu për t’i kërkuar të drejtat tona dhe të qytetarëve tanë”, deklaroi Rama.
Ai tha se bllokadat dhe sabotazhet po i dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarët, ndërsa shtoi se shumë komuna ndodhen në një situatë të rëndë financiare.
“Shumë prej tyre janë në kolaps total. Është hipokrizi që institucionet e shtetit të përdoren kundër qytetarëve të vet”, u shpreh ai.
Rama falënderoi kryetarët që iu bashkuan protestës, duke theksuar se kjo nuk është një betejë për pushtetin lokal, por për mbrojtjen e demokracisë.
“Jemi bashkë për demokracinë, kundër autokracisë dhe diktaturës. Nuk do ta lejojmë këtë. Ne do të vazhdojmë t’i mbrojmë të drejtat e qytetarëve tanë”, tha ai.
Protesta po zhvillohet para objektit të Qeverisë së Kosovës, ku kryetarët e komunave po kërkojnë zhbllokimin e fondeve dhe respektimin e kompetencave të pushtetit lokal.












