Avokati Tomë Gashi ka folur në emisionin e “Kosova Live” në T7 lidhur me mospropozimin e emrit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani, si kandidate për presidente të ardhshme nga Lëvizja Vetëvendosje.
Gashi ka thënë se është habitur nga ky vendim, duke theksuar se Osmani është ndër presidentët më të mirë që ka pasur vendi.
“President më i mirë se Vjosa Osmani ka qenë veç Ibrahim Rugova. S’ka tjerë”, është shprehur ai.
Sipas tij, mospropozimi i emrit të Osmanit për një mandat tjetër është i pakuptueshëm, duke pasur parasysh, siç tha ai, performancën e saj në krye të shtetit.
Ai ka reaguar edhe për statuset e fundit të deputetes Adriana Matoshi nga Lëvizja e Vetëvendosje pas dhe deklaratave të saj lidhur me presidenten Vjosa Osmani.
Gashi ka përdorur edhe një krahasim ironik për të përshkruar situatën, duke thënë se kjo i ngjan “me shku në një kanagjegj e me u ly me kanë, e pastaj me folë kundër nuses dhe me thënë fjalë për të”.
Sipas tij, deklarata të tilla nuk janë serioze dhe nuk duhet të bëhen në platforma publike apo para mediave.
“Nuk janë këto deklarata që thuhen në rrjete sociale, para televizioneve dhe para mjeteve publike të informimit. Nuk është serioze – është muhabet për kafe”, ka theksuar ai, duke kritikuar ashpër mënyrën e komunikimit publik.














