Policia u thirr për disa persona që po thyenin shishe në lokalin “Priview” në Prishtinë, por ndërhyrja e saj përfundoi me një zbulim tjetër. Një person që tentoi të largohej u ndalua me armë zjarri dhe 15 fishekë, ndërsa gjendja e tij e dehur bëri që intervistimi të shtyhej për më vonë.
Burimet e Sinjali bëjnë me dije se bëhet fjalë për Arbnor Rukovcin, 31 vjeçar, i cili është ndaluar më 31 tetor, rreth orës 02:00, në rrugën “Ferid Curri” në Prishtinë.
Gjithçka nisi me një telefonatë në Polici për një incident brenda lokalit “Priview”, ku raportohej se disa persona po thyenin shishe.
Kur njësia policore mbërriti në vendngjarje, hasi në disa persona, mes tyre edhe Rukovcin, i cili tentoi të largohej.
Por përpjekja për t’u larguar përfundoi me ndalimin e tij dhe gjetjen e një arme të shkurtër zjarri, së bashku me 15 fishekë.
Në vendngjarje u angazhuan hetuesit dhe forenzika, të cilët sekuestruan armën dhe ndërmorën veprimet për dokumentimin e rastit.
Një dëshmitar u intervistua, ndërsa marrja në pyetje e të dyshuarit nuk mundi të realizohej menjëherë.
Arsyeja, ishte gjendja e tij e dehur.
Pas konsultimit me organet kompetente, u vendos që Rukovci të intervistohej pas kthjellimit, në prani të avokatit mbrojtës.
Ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa rasti po hetohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ende nuk është konfirmuar nëse Rukovci ishte i përfshirë në thyerjen e shisheve, incident për të cilin Policia ishte thirrur fillimisht.














