Kuvendi Komunal i Lipjanit në mbledhjen e mbajtur dje ka miratuar propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim për 99 vjet të 30 mijë metrave katrorë (3 hektarë) tokë komunale në Zonën Kadastrale Konjuh për kompaninë “Birra Peja”, që është në pronësi të vajzës së biznesmenit Blerim Devolli.
Veriu.info ka siguruar propozim-vendimin e miratuar “Për miratim të ofertës ‘Birra Peja’ të përzgjedhur nga Komisioni Vlerësues për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës në ZK-Konjuh” të proceduar dje në seancë të Kuvendit Komunal nga kryetari i Komunës, Imri Ahmeti.
Në këtë propozim-vendim të miratuar janë përfshirë dy prona, njëra 12357 m2 dhe tjetra 17643 m2. Këto dy prona komunale janë dhënë në shfrytëzim afatgjatë prej 99 viteve, pa ndonjë kompensim të qirasë. Pra, realisht falas!

Sipas dokumentacionit të siguruar nga Veriu.info, qëllimi i dhënies në shfrytëzim të këtyre pronave për “Birra Peja” është ushtrimi i veprimtarisë prodhuese “Fabrikë për prodhimin e lëngjeve”.
Te pika ku flitet për interesin ekonomik të Komunës së Lipjanit, nuk përmendet ndonjë qira që duhet të paguajë “Birra Peja”, por ka vetëm terma që zakonisht përdoren si shabllone, e që janë: Vlera investive e planifikuar prej 33,450,966.93 euro, sipërfaqja e madhe e fabrikës që supozohet se do të ndërtohet, numri i lartë i të punësuarve që supozohet se do të punësojë dhe afati 36 mujor për realizimin e projektit.
Në nenin 2 të propozim-vendimit të miratuar në seancën e djeshme, thuhet se të drejtat dhe obligimet e palëve do të rregullohen me kontratë të veçantë, që do të lidhet mes Kryetarit të Komunës së Lipjanit dhe shfrytëzuesit të pronës së paluajtshme të Komunës, në këtë rast të kompanisë “Birra Peja”.

Komisioni Vlerësues që e ka trajtuar ofertën e “Birra Peja” ishte në përbërje të Imri Semetishti (Drejtor për Planifikim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit), Latif Ramadani (Drejtor për Buxhet dhe Financa), Venhar Agushi (asamblist – LDK), Besim Jusufi (asamblist – PDK) dhe Bekim Krasniqi (Drejtor i OJQ ‘YAHR’). Pra anëtarëve të Kuvendit Komunal propozim-vendimin e ka paraqitur Imri Semetishti, i cili ka thënë se gjithçka në këtë proces nga Komisioni është vendosur me unanimitet.
Për dallim nga pjesa e parë e seancës së djeshme të Kuvendit Komunal ku prezent ka qenë edhe kryetari Imri Ahmeti, në pjesën e dytë të seancës ku është marrë vendim për këtë çështje, ai i ka ‘ikur’ prezencës në seancë, duke mos marrë pjesë.
Miratimin e këtij propozim-vendimi për dhënien e 3 hektarëve tokë për kompaninë e vajzës së Blerim Devollit e ka kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje, ku asamblistët e saj Alban Salihu dhe Valenton Amerllahu kanë mbajtur edhe fjalime kundërshtuese.

Madje, Alban Salihu ka qenë shumë i ashpër, ku ka thënë: “Bëhet fjalë për kompaninë që familjeve tona ju ka shërbyer ushqim me vaj palme” ka thënë asamblisti Alban Salihu, të cilit kryesuesi i Kuvendit i ka ndërhyrë duke thënë se organet tjera vendosin për këto çështje. Asamblisti Salihu ka vazhduar fjalën duke i thënë kryesuesit: “Pse po shqetësohemi ju. Komuna jonë po i jep pronë kësaj kompanie. Unë e kam obligim me thënë këtë, se ka me ardh një moment kur kanë me u rishiku këto vendime dhe njerëzit kanë me marrë përgjegjësi.”
Ndërsa, asamblisti Agon Bahtiri nga radhët e PDK-së ka pasur vërejtje lidhur me kriteret e shpalljes, por që në fund të fjalimit çuditërisht i ka dhënë përkrahje miratimit të dhënies në shfrytëzim për 99 vite të kësaj prone komunale.

Pas diskutimeve, ky vendim u miratua me 22 vota, 4 kundër nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 2 abstenime.
Diskutimet për këtë vendim mund t’i shikoni nga minuta 1:27:00 deri në minutën 1:52:10 (Këtu: https://www.youtube.com/live/FË7GirzmI3Q?si=RzEuBQ772CZa5EVO)
Kush është “Birra Peja” Sh.A.?
Kompania “Birra Peja” Sh.A. që me vendim të Kuvendit Komunal të Lipjanit do të marrë 3 hektarë tokë në pronësi të Komunës, zotëron fabrikën e prodhimit të Birra Peja.
Nga të dhënat e paraqitura në publik, “Birra Peja” Sh.A. thuhet se është pjesë e kompanisë “Devolli Group”, por që së fundmi Veriu.info ka gjetur se pronësia e saj është ndërruar, të paktën ligjërisisht.
Më saktësisht, në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve figuron se 100% të aksioneve të kompanisë “Birra Peja” Sh.A. i zotëron kompania “GLOBOSOS L.L.C.”.

Por që duket se Blerim Devolli i ka bërë disa lëvizje në lidhje me pronësinë e kompanisë gjatë kohës kur po shqyrtohej oferta e tij për tokë nga Kuvendi Komunal i Lipjanit. Nga të dhënat që Veriu.info ka gjetur në ARBK, kompania “GLOBOSOS L.L.C.” që ka në pronësi “Birra Peja” Sh.A., më 22 shtator 2026 ka dalë në pronësi të Vlera Hajdari, vajzës së Blerim Devollit, e cila për shkak të martesës me shtetasin e Shqipërisë Arbër Hajdari, e ka ndryshuar mbiemrin dhe adresa e saj si pronare figuron në Shqipëri.


Pra, toka komunale prej 3 hektarësh i është ka dhënë në shfrytëzim për 99 vite kompanisë së Vlera Hajdari, vajzës së Blerim Devollit, të cilës ky i fundit në muajin shtator ia kishte bartuar aksionet e kompanisë.
‘Afërsia’ e Blerim Devollit me LDK-në?
Në media është raportuar se Blerim Devolli ka afërsi me zyrtarë të lartë të LDK-së, ku edhe i janë publikuar fotografi me Gazmend Muhaxherin.
Blerim Devolli po ashtu kishte marrë pjesë në një takim që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku kishte mbajtur në dhjetor të vitit 2024 me biznesmenët kryesorë të Kosovës (postimi: https://www.facebook.com/share/p/16Ucxw8PGeh/)
















