Të premten do të shpallet aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023.
Seanca do të nisë në orën 15:00, kanë deklaruar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Në fjalën përfundimtare, Prokuroria Speciale e Kosovës javën e kaluar kërkoi burgim të përjetshëm për Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Makismoviq.
“Sipas provave, nuk kemi të bëjmë me një incident të izoluar, por me një organizim kriminal me qëllime terroriste për cenimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, deklaroi Prokurori Naim Abazi.
Prokurori shtoi se pasoja fatale – vrasja e rreshterit Afrim Bunjaku – i atribuohet të gjithë pjesëmarrësve në sulm.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.














