Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew Whitaker, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin bilateral dhe çështjet e sigurisë në rajon.
Gjatë takimit, Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës, duke e cilësuar atë jetike për vendin.
“Gjatë takimit, kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Whitaker për mbështetjen jetike, të vazhdueshme dhe të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës.”
Ai ka theksuar bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Teksa shprehu mirënjohje, kryeministri Kurti foli për bashkëpunimin e ngushtë dhe partneritetin me SHBA-në, përfshirë trajnimet dhe edukimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse. Ai theksoi se Kosova, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është e angazhuar për stabilitet, paqe dhe siguri në rajon dhe më gjerë”, thuhet në komunikatë.
Kurti vlerësoi rolin e NATO-s në Kosovë, duke nënvizuar rëndësinë e pranisë së saj për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.
“Kryeministri Kurti vlerësoi se prania e NATO-s në Republikën e Kosovës, dhe veçmas ajo e Shteteve të Bashkuara, mbetet kruciale për paqen dhe sigurinë, jo vetëm në vend, por edhe në rajon. Ai theksoi se përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në NATO do të ishte kontribut i rëndësishëm dhe do të shërbente si garantues afatgjatë për paqen dhe sigurinë në Ballkan”, bëhet e ditur.
Duke folur për situatën e sigurisë në rajon, kryeministri Kurti tha se ajo mbetet e ndjeshme, duke përmendur zhvillimet në Serbi dhe ndikimin e aktorëve ndërkombëtarë.
“Duke folur për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, kryeministri tha se ajo mbetet e brishtë për shkak se Serbia, e mbështetur nga Rusia dhe Kina, vazhdon të ndjekë politikë hegjemoniste rajonale. Ai foli edhe për armatosjen e fqinjit verior, me theks blerjet e fundit nga Rusia dhe Kina, si kërcënime për stabilitetin afatgjatë rajonal dhe fqinjësinë e mirë në Ballkan. Në këtë kontekst, kryeministri përmendi bazat e përparme operacionale të Serbisë përreth kufirit me Republikën e Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë.














