Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se kjo parti nuk e ka refuzuar asnjë takim me kryeministrin Albin Kurti, por sipas tij, ka munguar një ftesë formale nga ana e tij.
Ai ka theksuar se Kurti nuk e ka konkretizuar iniciativën e re përmes një letre zyrtare, çka, sipas Tahirit, ka qenë arsyeja pse nuk kanë ndodhur takime mes dy liderëve politikë.
Tahiri ka bërë të ditur se kjo çështje tashmë konsiderohet e përfunduar, pasi Këshilli Drejtues i PDK-së ka vendosur ta konsiderojë të përmbyllur kontributin e partisë në këtë proces.
E për mesazhet e Kurtit në WhatsApp, ai ka thënë se ishin “kërkesa për pazare politike dhe qesharake”.
“PDK-ja s’ka refuzuar asnjë takim. PDK-së nuk i ka ardhur asnjë ftesë formale në adresë të saj. Kemi shkuar në të gjitha takimet ku jemi ftuar në raundin e parë, në secilën ditë dhe në secilin vend. Kemi pritur katër javë të plota në raundin e dytë, pas afatit 34-ditor të Gjykatës Kushtetuese dhe asnjë ftesë zyrtare në adresë të PDK-së nuk ka ardhur. Mos të flasim pastaj për mesazhet e Whatsapp-it, me kërkesa për pazare, të cilët, thënë butësisht ishin edhe qesharake. PDK-ja e trajton me seriozitet shtetin, të cilin ka dhënë kontribut kyç për ta formuar dhe ndërtuar. Zgjedhjet, nëse shkojmë, janë kryekëput pasojë e papërgjegjësisë së tij, mungesës së vullnetit politik dhe dëshirës për kontroll absolut institucional prej tij”, ka thënë ai.













