Një ushtar i forcave speciale amerikane është arrestuar dhe akuzuar për përdorim të informacionit të klasifikuar për përfitime personale, pasi dyshohet se vendosi baste mbi operacionin sekret për kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro.
Sipas aktakuzës, kapiten rreshteri Gannon Ken Van Dyke hapi një llogari në platformën Polymarket dhe vendosi rreth 32 mijë dollarë bast se Maduro do të largohej nga pushteti brenda janarit. Prokurorët pretendojnë se ai kishte akses në informacione të klasifikuara pasi ishte i përfshirë në planifikimin dhe zbatimin e operacionit sekret “Absolute Resolve”.
Ai dyshohet se ka bërë 13 baste nga 27 dhjetori deri më 2 janar, i fundit disa orë para kapjes gjatë natës.
Nga këto baste, Van Dyke dyshohet se përfitoi mbi 400 mijë dollarë, të cilat i transferoi fillimisht në portofolë kriptomonedhash dhe më pas në një llogari brokerimi online, në përpjekje për të fshehur origjinën e tyre.
Ushtari përballet me 5 akuza penale, përfshirë vjedhje dhe keqpërdorim të informacionit konfidencial, mashtrim dhe përfitim të paligjshëm financiar. Ai pritet të dalë para gjykatës në Karolinën e Veriut, shkruan A2CNN.
Autoritetet amerikane theksuan se përdorimi i sekreteve shtetërore për përfitime personale përbën shkelje të rëndë ligjore dhe etike. Ndërkohë, platforma Polymarket deklaroi se ka bashkëpunuar me hetuesit sapo identifikoi aktivitetin e dyshimtë.














