Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vendimit të gjykatës për rastin e sulmit terrorist në Banjskë.
Sveçla e ka cilësuar këtë vendim si një moment të rëndësishëm për drejtësinë, duke theksuar se dënimet maksimale duhet të vlejnë për të gjithë të përfshirët në këtë rast, përfshirë edhe pjesëtarët e një rrjeti më të gjerë prej 45 personash të identifikuar.
“Sulmi i 24 shtatorit 2023 nuk ishte një akt i izoluar, por një operacion i organizuar me mbështetje shtetërore nga Serbia, me synim cenimin e rendit kushtetues dhe aneksimin e një pjese të territorit të Kosovës”, tha ministri.
Sveçla ka bërë të ditur gjithashtu se strukturat kriminale dhe paramilitare në veri janë çmontuar dhe se rendi kushtetues është mbrojtur.
Ai i ka bërë thirrje Serbisë që të mbahet përgjegjëse për rolin e saj politik, financiar dhe logjistik në këtë agresion.
Ministri ka theksuar se ky vendim nuk mund ta kthejë heroin Afrim Bunjaku, por përbën një hap drejt drejtësisë për sakrificën e tij dhe dhimbjen që mbetet te familja, kolegët dhe qytetarët.
“Drejtësia për Banjskën nuk përfundon këtu. Ajo përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë, me në krye Milan Radoiçiqin”, ka shkruar Sveçla.













