Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

“Kosova po i afrohet një skenari të ngjashëm me Bullgarinë që kaloi shtatë cikle zgjedhjesh”

29/04/2026 - 16:01
në Kryesore, Lajme
A A
“Kosova po i afrohet një skenari të ngjashëm me Bullgarinë që kaloi shtatë cikle zgjedhjesh”
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Në ditën kur u bënë katër muaj nga zgjedhjet e fundit parlamentare, u konfirmua se Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje.

Një rikthim i shpejtë në kutitë e votimit, jo si rezultat i një zgjedhjeje politike, por si pasojë e një krize që politikëbërësit nuk arritën ta zgjidhin.

“Kjo është papjekuria e tyre, si karshi shtetit, ashtu edhe karshi stuhisë së zhvillimeve që kanë përshkuar botën”, vlerëson për Radion Evropa e Lirë analisti politik, Ilir Deda.

Më 7 qershor – më së largu – qytetarët e Kosovës do të dalin sërish në zgjedhje parlamentare, për herë të tretë brenda 16 muajsh.

Ky proces u bë i pashmangshëm më 28 prill, vetëm katër muaj pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, kur deputetët dështuan të zgjedhin presidentin, duke aktivizuar automatikisht afatin kushtetues që e çon vendin në zgjedhje brenda 45 ditësh.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, akuzoi opozitën për bojkotim të qëllimshëm të seancave, ndërsa partitë opozitare fajësuan pushtetin për mungesë bashkëpunimi dhe për përpjekje për përqendrim të pushtetit në një dorë të vetme.

“Kosova, për të pasur president të ri, duhet të ketë opozitë të re. Opozita është e vjetër. Kjo opozitë mund të sjellë ndonjë fytyrë të re, por zanatin dhe karakterin e ka të vjetër, andaj edhe është në rënie të lirë”, deklaroi kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i LVV-së, në seancën e fundit të legjislaturës së dhjetë.

Dy partitë kryesore opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja, e mirëpritën shkuarjen në zgjedhje të reja, ndonëse, sipas kryetarit të LDK-së, ato u imponuan nga pushteti, i cili, me shumicën prej 51 për qind, kërkoi “nënshtrim” politik.

“Tani është koha për bashkimin e njerëzve të mirë të këtij vendi, që duan një Kosovë normale, pa dramë, pa propagandë…”, shkroi Lumir Abdixhiku në Facebook.

Një krizë e përsëritur, jo episod i ri
Kjo situatë nuk është e re për Kosovën.

Një skenar i ngjashëm u përsërit menjëherë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, kur Kuvendi mbeti i pakonstituuar për muaj të tërë dhe, në fund, formimi i Qeverisë dështoi.

Edhe atëherë, përgjegjësia u nda mes palëve, me akuza që kalonin nga njëra te tjetra.

Për Dedën, situata nuk është më episod i izoluar, por një model që po merr formë.

Ai paralajmëron se Kosova po i afrohet një skenari të ngjashëm me Bullgarinë, e cila në pesë vjetët e fundit ka kaluar nëpër shtatë cikle të njëpasnjëshme zgjedhjesh, pa prodhuar stabilitet institucional.

“Nuk pritej që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, kur Lëvizja Vetëvendosje i fitoi 51 për qind të votave, ne të mbërrinim në këtë situatë”, thotë ai.

Në analizën e tij, problemi nuk qëndron te sistemi politik, por te mënyra se si ai përdoret.

Kosova, thotë Deda, ka një kornizë institucionale të avancuar, por ajo po shndërrohet në instrument përplasjeje, në vend se të shërbejë si bazë stabiliteti.

Përgjegjësinë kryesore, ai ia atribuon partisë më të madhe, e cila, siç thotë, ka pasur mundësi reale për të ndërtuar qëndrueshmëri institucionale.

Deda konsideron se kjo krizë ka qenë lehtë e shmangshme.

“Partitë kanë mundur të diskutojnë se çfarë presidenti duan: një figurë që ka filluar aktivitetin politik që në vitet ’90, duke reflektuar rrugëtimin dhe shtetndërtimin e Kosovës; një figurë të lidhur me UÇK-në, si kundërreagim ndaj procesit në Hagë; apo një figurë që sheh nga e ardhmja”, thotë Deda.

Në vend të kësaj, ai konsideron se debati u shndërrua në një lojë politike për të drejtuar gishtin nga fajtorët dhe për të “fabrikuar alibi” për shmangien e përgjegjësisë.

Deda paralajmëron se, duke qenë në këtë trajektore, Kosova rrezikon të mbetet jashtë zhvillimeve të rëndësishme globale, ndërsa perceptimi për të si shtet i brishtë mund të ketë pasoja afatgjate – si në raport me partnerët ndërkombëtarë, ashtu edhe me besimin qytetar.

“Unë vetëm shpresoj që pas zgjedhjeve të reja të ketë një maturim të politikës dhe forcim të kulturës së konsensusit”, thotë Deda.

Në të kundërtën, sipas tij, cikli i zgjedhjeve mund të mos ndalet.

Mes legjitimitetit dhe “kohës së humbur”
Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe Bashkimi Evropian për dështimin e Kosovës në zgjedhjen e presidentit dhe shkuarjen në zgjedhje të reja, si dhe për pasojat që kjo mund të ketë në stabilitetin politik të vendit, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Toby Vogel, analist në Këshillin për Demokratizimin e Politikave në Bruksel, thotë se zgjedhjet e parakohshme mund të shihen si “kohë e humbur”, pasi ka gjasa të prodhojnë një rezultat politik të ngjashëm me atë të mëparshmin.

Megjithatë, ai thekson se ky është një proces i paraparë me Kushtetutë, ndaj është edhe legjitim, edhe demokratik.

“Si një Qeveri e mirëfilltë demokratike, Qeveria Kurti dhe autoritetet tjera, Parlamenti e kështu me radhë, po e ndjekin procedurën kushtetuese”, vlerëson Vogel për Radion Evropa e Lirë.

Nga perspektiva evropiane, ai thotë se BE-ja dhe disa shtete anëtare nuk po tregojnë vullnet politik për ta çuar Kosovën përpara në procesin e integrimit, duke u fshehur pas narrativit të “paqëndrueshmërisë së brendshme”.

“Edhe kur Kosova gëzonte stabilitet të paprecedent të brendshëm nën kryeministrin Kurti, BE-ja nuk bëri asnjë përparim as në dialogun me Serbinë dhe as në procesin e anëtarësimit – gjë që tregon se narrativi për paqëndrueshmëri është një justifikim i pabazë, që fsheh mungesën e vullnetit politik në Bruksel dhe në shtetet kyç anëtare”, shton Vogel.

Kosto përtej politikës
Kriza në Kosovë nuk kufizohet vetëm në politikë. Ajo ndikon drejtpërdrejt edhe në ritmin e vendimmarrjes shtetërore.

Sipas Naim Jakajt, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, pasoja e parë është paralizimi i procesit legjislativ. Në mungesë të një Kuvendi funksional, nuk miratohen ligje të reja dhe ngadalësohen reformat kyç, përfshirë ato që lidhen me sundimin e ligjit dhe integrimin evropian.

Një tjetër problem, sipas tij, është edhe mungesa e mbikëqyrjes parlamentare ndaj Qeverisë – një element thelbësor në një sistem demokratik.

Kjo situatë, thekson Jakaj, e ul ndjeshëm nivelin e llogaridhënies dhe transparencës në vendimmarrje.

“Qeveria në detyrë ka mandat të kufizuar dhe nuk mund të ndërmarrë vendime strategjike afatgjata, duke e lënë vendin në një gjendje stagnimi institucional. Në thelb, krijohet një vakum institucional, ku shteti funksionon minimalisht, por nuk zhvillohet”, thotë Jakaj për Radion Evropa e Lirë.

Ai nënvizon se mungesa e një Qeverie me mandat të plotë reflektohet drejtpërdrejt edhe në planin ndërkombëtar.

Sipas tij, kjo mund të shkaktojë vonesa në procese të rëndësishme, si aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës apo përmbushja e obligimeve në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian.

Fatura financiare e zgjedhjeve
E, përtej dimensionit politik e ligjor, kriza prodhon edhe një barrë shtesë – atë financiare – pasi çdo proces i ri zgjedhor nënkupton shpenzime të reja për buxhetin e shtetit.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, thotë për Radion Evropa e Lirë se viti 2026 nuk është paraparë si vit zgjedhor, ndaj në buxhetin vjetor të institucionit nuk janë ndarë mjete për zgjedhje të parakohshme.

Në rrethana të tilla, KQZ-ja detyrohet t’i drejtohet Qeverisë së Kosovës me kërkesë për fonde, në mënyrë që të mbulojë kostot e organizimit të procesit.

Si pikë krahasimi, Elezi përmend zgjedhjet e fundit të 28 dhjetorit, për të cilat ishte planifikuar një buxhet prej 11.5 milionë eurosh, ndërsa shpenzimet reale arritën në rreth 7 milionë euro, sipas të dhënave ende jopërfundimtare.

Në ato zgjedhje, mbi 2 milionë shtetas të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, kishin të drejtë vote – një shifër që pritet të mbetet e ngjashme edhe në zgjedhjet e ardhshme.

Pjesëmarrja ishte rreth 45 për qind, por një nivel i tillë nuk është i garantuar, pasi, siç thotë Jakaj, zgjedhjet e shpeshta krijojnë “lodhje” te votuesit.

Ndryshe prej tij, Deda e sheh fokusin diku tjetër: jo te rënia e pjesëmarrjes, por te mënyra se si qytetarët do ta lexojnë dhe gjykojnë vetë situatën politike.

“Test i zgjedhjeve është pjekuria e popullit të Kosovës – nëse qytetarët e Kosovës do ta ndëshkojnë një sjellje të tillë të partive apo do ta miratojnë atë”, përfundon Deda./REL/

JU REKOMANDOJMË

Beha: Gjyqtari që kërkoi të shqyrtohej lirimi i Thaçit nuk u përfshi më në panelet për krerët e UÇK-së

Beha: Gjyqtari që kërkoi të shqyrtohej lirimi i Thaçit nuk u përfshi më në panelet për krerët e UÇK-së
31/08/2026 - 22:45

Gazetari Besian Beha ka ngritur pikëpyetje lidhur me përbërjen e paneleve gjyqësore që kanë vendosur për vazhdimin e paraburgimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë....

Më shumëDetails

Një ditë para protestës, Rama i drejtohet Qeverisë: Mos i merrni komunave atë që u takon qytetarëve

“Për koncert po, për tjerat jo”, Përparim Rama s’flet për zhvillimet brenda LDK’së
31/08/2026 - 22:34

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar një video në Facebook një ditë para protestës së komunave para Qeverisë së Kosovës. Rama ka kërkuar nga ekzekutivi qendror që...

Më shumëDetails

Olluri për Bekim Sejdiun: Kandidat konsensual i Osmanit dhe Abdixhikut, grupi parlamentar i LDK-së akoma nuk e ka thënë fjalën e vetë

Olluri për Bekim Sejdiun: Kandidat konsensual i Osmanit dhe Abdixhikut, grupi parlamentar i LDK-së akoma nuk e ka thënë fjalën e vetë
31/08/2026 - 22:22

Gazetari Parim Olluri, ka thënë në “Pressing” të T7, se Bekim Sejdiu është kandidat konsensual i Vjosa Osmanit dhe Lumir Abdixhikut. Ai ka thënë se grupi parlamentar i...

Më shumëDetails

Valon Syla: Për Bekim Sejdiun mund të mos votojnë katër deputetë të LDK-së, dy nga pakicat joserbe – por mund ta jep votën një i PDK-së

Valon Syla: Për Bekim Sejdiun mund të mos votojnë katër deputetë të LDK-së, dy nga pakicat joserbe – por mund ta jep votën një i PDK-së
31/08/2026 - 21:56

Gazetari Valon Syla në “Pressing” të T7, ka thënë se Bekim Sejdiu mund të mos votohet nga katër deputetë të LDK-së. Tutje, ai ka thënë se edhe dy...

Më shumëDetails

Ukraina: Do t’i kthehemi temës së njohjes së Kosovës kur të dalim nga flakët e luftës ruse

Ukraina: Do t’i kthehemi temës së njohjes së Kosovës kur të dalim nga flakët e luftës ruse
31/08/2026 - 21:17

Një përgjigje e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, se qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar, nxiti pakënaqësi në Kosovë dhe kulmoi me heqjen e...

Më shumëDetails

Bedri Hamza thotë se asnjë deputet i PDK nuk do të votojë për Bekim Sejdiun, dyshon që VV e LDK i kanë numrat

Hamza: Drafti aktual i Asociacionit është oferta më e varfër që e ka pasur Kosova në tavolinë
31/08/2026 - 21:13

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka folur për marrëveshjen e arritur sot në mes VV-së dhe LDK-së që kandidati për president të jetë Bekim Sejdiu,...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Ekskluzive: Arrestohet 4 persona në Mitrovicë nën dyshimin për dallavere me testin e patent shoferëve

    Ekskluzive: Arrestohet 4 persona në Mitrovicë nën dyshimin për dallavere me testin e patent shoferëve

    154 Shpërndaje
    Shpërndaje 62 Tweet 39
  • Hoti del me sqarim, tregon pse nuk e voton Bekim Sejdiun për president

    113 Shpërndaje
    Shpërndaje 45 Tweet 28
  • Policia konfirmon raportimin e Veriu.info: Janë arrestuar 4 persona në Mitrovicë për dallavere me testin për patentë shofer

    103 Shpërndaje
    Shpërndaje 41 Tweet 26
  • Bekë Berisha për kandidatin për President: Duhet me qenë shumë i poshtër meqë janë pajtuar për të

    97 Shpërndaje
    Shpërndaje 39 Tweet 24
  • “Kjo është…”, momenti kur Mihrija kupton se do të bëhet gjyshe (video)

    91 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 23

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë