Emërimi i Kryesisë së re të LDK-së nga Lumir Abdixhiku është përcjellur me reaksione të fuqishmë brenda kësaj partie, të cilët nuk janë pajtuar me futjen e disa emrave dhe lënien jashtë saj të figurave me peshë politike.
Debat të fuqishëm brenda LDK-së ka ngjallur edhe kthimi eventual i Vjosa Osmanit në këtë partie, të cilën një pjesë e partisë e kanë kundërshtuar ashpër, duke pasur parasysh rolin e saj me dobësimin e madh që i ka shkaktuar partisë së themeluar Ibranim Rugova me rastin e formimit të GUXO-së dhe bashkëpunimit me VV-në e Albin Kurtit, që kishte bërë LDK-në të bie në rreth 12%.
Mirëpo, kulmi i këtyre zhvillimeve ka qenë dështimi i Lumir Abdixhikut që t’ia imponoj Vetëvendosjes zgjedhjen e presidentit të Kosovës nga radhët e LDK-së.
Për shkak të këtyre zhvillimeve, në skenën e brendshme të zhvillimeve të LDK-së është aktivizuar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili po synon që të marrë drejtimin e partisë në ditët vijuese, para nisjes së fushatës për zgjedhjet parlamentare.
Burime të Veriu.info brenda LDK-së bëjnë të ditur se Përparim Rama është duke takuar vazhdimisht shumicën e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, me synimin që deri në javën e ardhshme të shkarkohet Lumir Abdixhiku nga kryetari i partisë dhe i pari i Prishtinës të bëhet kryetar i LDK-së.
Siç mëson Veriu.info, për shkak të këtyre pakënaqësive dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të LDK-së ka dhënë tashmë kryetari i Pejës, Gazmend Muxheri.















