Kongresmeni amerikan Ritchie Torres ka iniciuar një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, përmes së cilës kërkohet që trupat amerikane të mbeten pjesë e misionit të KFOR në Kosovë deri në përfundimin e plotë të mandatit të tij.
Në dokumentin e publikuar nga Express, thuhet se çdo reduktim i pranisë ushtarake amerikane në KFOR do të kishte pasoja për sigurinë në rajon dhe do t’u shërbente aktorëve që nuk e mbështesin paqen.
Rezoluta thekson mbështetjen për praninë e vazhdueshme të forcave amerikane në Kosovë, duke e cilësuar atë si të domosdoshme për stabilitetin rajonal dhe për funksionimin efektiv të misionit të NATO-s në vend.
Sipas dokumentit, Dhoma e Përfaqësuesve: pranon se tensionet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë mbeten të pazgjidhura; pohon se prania e KFOR-it është thelbësore për ruajtjen e paqes dhe sigurisë; mbështet vazhdimin e misionit të KFOR-it në Kosovë; shpreh mbështetje për dislokimin e trupave amerikane në kuadër të KFOR-it; thekson nevojën për kapacitete të vazhdueshme ushtarake amerikane në mision dhe bën thirrje që forcat amerikane të mbeten në Kosovë deri në përfundimin e mandatit të KFOR-it.













