Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka rikthyer momentet para nisjes për në Hagë, më 5 nëntor 2020.
Përmes një interviste për emisionin “Opinion”, Thaçi kujtoi mëngjesin e asaj dite, kur u kishte treguar familjarëve dhe gjithë popullit se po përballej me udhëtimin drejt Hagës.
Ndër të tjera, ish-presidenti bëri të ditur se djali i tij, Endriti, ishte personi i fundit me të cilin u nda përqafueshëm.
“Nata kaloi shpejt. Më 5 nëntor 2020, në mëngjes i tregova Lumes dhe Endritit, i thirra edhe prindërit e u thashë ‘po thonë që edhe unë duhet të shkoj në Hagë’. U mërzitën shumë, më porositën ‘ruaje shëndetin, çka të vjen prej njeriut mos u mërzit, qysh e ka shkruar Zoti’. Në ora 11:00 mbajta konferencë me gazetarët. Mesazhi kryesor ishte ‘jo lamtumirë, por mirupafshim’. Rikthehem në zyrë. Bashkëpunëtorët dhe stafi i administratës dukeshin të mërzitur. Bëmë disa fotografi, më përcollën me duartrokitje e lot në sy. Endriti më ishte ngjitur për trupi, ishte i fundit me të cilin u ndava përqafueshëm”, tha Thaçi.












