Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Kurti shpërndan fjalimin e tij në Këshill të Përgjithshëm të VV-së, synon 60% të votës popullore

10/05/2026 - 11:38
në Kryesore, Lajme
A A
Kurti shpërndan fjalimin e tij në Këshill të Përgjithshëm të VV-së, synon 60% të votës popullore
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Krytari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shpërndau të dielën në Facebook fjalimin e të shtunës dhën ënë Këshillin e Përgjithshëm.

Aty është vendosur që Albin Kurti të jetë sërish kandidat për kryeministër.

Në fjalimin e tij Kurti foli për të arriturat që ai i konsideron.

Por, ai ka hedhur akuza edhe ndaj opozitës për siç thotë ai shkaktimin e bllokadës.

Postimi i Kurtit:

Fjala ime e plotë në mbledhjen e 63-të e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së:

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,

E nderuara kryesuese Arbërie Nagavci, njëherazi edhe kryetare e Grupit Parlamentar të VETËVENDOSJE!-s në Kuvend të Republikës,

E nderuara kryetare e Grave për VETËVENDOSJE!-s, dhe Kryetare e Kuvendit të Kosovës, dhe Ushtruese e Detyrës së Presidentes së Republikës, kërkoj falje nëse kam harruar ndonjë funksion tjetër që ka,

E nderuara nënkryetare e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mrika Limani-Myrtaj,

Të nderuar Sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes, Alim Rama, dhe Koordinatore e Komiteteve Profesionale, Dejona Mihali,

I nderuari axha Avni, së shpejti do të udhëheqë edhe seancën tjetër besoj, kësaj radhe të legjislaturës së njëmbëdhjetë dhe kështu pak e nga pak po të bëhet edhe ty një mandat si kryetar Kuvendi, e njerëzit do të fillojnë e të thonë Dehari 3 ndoshta, në verën e vitit 2026,

Deputetë, ministra, zëvendësministra, kryetarë komunash, aktivistë, mbështetës të Lëvizjes e qytetarë të Republikës sonë,

Kolegë, motra dhe vëllezër, zonja dhe zotërinj,

Ju falënderoj për mbështetjen dhe besimin që keni te ne si Lëvizje dhe te unë si kryetar e kryeministër. Ju falënderoj për nominimin, që natyrisht është nder por edhe përgjegjësi e madhe. Është një detyrim historik ky që unë e kam ndaj jush, është një detyrim që ne e kemi ndaj gjithë kombit tonë shqiptar dhe ndaj Republikës sonë. Këtë detyrë do ta përmbushim e s’na ndal dot askush, sepse sytë, veshët, mendjen, zemrën, i kemi të përqendruar te synimi ynë më sublim, përparimi i kombit tonë.

Pa mbështetjen tuaj të qëndrueshme dhe masive, nga çdo fshat e nga çdo qytet, nga çdo lagje e nga çdo familje, nga brenda vendit e nga diaspora, ne nuk do të mundeshim të kapërcenim vështirësitë e mëdha shoqërore e historike të cilat na janë paraqitur në të shkuarën tonë. Por me ndihmën tuaj, me bashkëpunim, me bashkëveprim të sinqertë me të gjithë ju, me sakrificë e me punë, pa u lodhur asnjëherë, jam i sigurt se ne do të tejkalojmë çdo pengesë e çdo sfidë, përfshi këto sfidat dhe këto vështirësitë disi absurde që po na paraqiten në të tashmen dhe çdo pengesë e sfidë që mbase nuk do të mungojnë as në të ardhmen.

Jemi në një tjetër fushatë, në prag të saj formalisht, në një tjetër ballafaqim me të kaluarën përmbajtësisht, që nuk do të vdesë kurrë pa u përpjekur edhe një herë të na e marrë frymën. Por ja që ne jemi këtu, të pathyer, më të fortë se kurrë, me duar të pastra e me ballë të hapur.

Të dashur miq, sot është 9 maji. Në kryeqytetet e Evropës kjo ditë festohet si dita e paqes dhe e bashkimit në fitore kundër nazifashizmit. Por për ne, në Prishtinë, ku jemi mbledhur për herën e 63-të në Këshillin e Përgjithshëm të LVV, kjo ditë nuk është thjesht një datë e shënuar në kalendarët e diplomacisë, është një pasqyrë e vullnetit tonë. Janë dy shenja të kësaj date: nga njëra anë, Evropa e nga ana tjetër, lufta dhe fitorja kundër politikës së dhunshme e antidemokratike, politikës së shkatërrimit e të gjenocidit që përfaqësonte nazifashizmi. Evropa për Kosovën nuk është thjesht një stacion ku duam të mbërrijmë, por një vlerë që e mbajmë përbrenda nesh e që e tregojmë me punët e veprimet tona politike, si parti dhe si qeverisje demokratike. Kur themi Kosova në Evropë nuk e kemi fjalën për ndonjë zhvendosje gjeografike, por për zhvillim vleror; ne po e ndërtojmë Evropën këtu, me drejtësi, me punë dhe me dinjitet. Kosova në Evropë, sepse tashmë Evropa në Kosovë. Me të njëjtat vlera ne pra po e ndërtojmë edhe demokracinë tonë, duke qëndruar pa kompromis kundër formave klienteliste, politikave tribale e të dhunshme, kundër korrupsionit, krimit, kundër lajmeve të rrejshme, kundër disfatizmit dhe degradimit të shtetit e të shërbimeve publike, kundër të gjitha këtyre fenomeneve që populli ynë i urren dhe assesi nuk do të lejojë që të kthehen ndonjëherë. Jemi saktësisht 29 ditë larg 7 qershorit. Pra, nesër katër javë janë zgjedhjet e reja e të jashtëzakonshme, të cilat vijnë më pak se pesë muaj pas zgjedhjeve të kaluara ku ne shënuam 51% të votave. E ato vinin dhjetë muaj pas zgjedhjeve ku ne i fituam 42% të votave. Prej shkurtit deri në dhjetor, pra, në vitin e kaluar, u rritëm 9%. E nëse rritemi po aq prej dhjetorit e deri në qershor, atëherë vërtet do të mund ta prekim edhe 60%. Nëse punojmë ashtu siç veç ne dimë, ashtu siç e kërkon situata, me sinqeritet dhe përkushtim, edhe kjo padyshim që është e mundur.

Sa herë po na bllokojnë, ne po rritemi e ata po marrin përgjigje edhe më të fortë nga populli. Megjithëkëto, unë jam i mendimit që si shtet e si shoqëri, si institucione të sistemit që duhet të funksionojnë në mënyrë demokratike dhe efikase ne nuk kishim nevojë për zgjedhje të tjera të reja kaq shpejt. Duket sikur dikush, mbase ndonjë strateg që rri në hije e që drejton nga prapaskena veprimet opozitare, po mendon që zgjedhjet janë të domosdoshme. Ndoshta për dikë, por jo për popullin e për shtetin.

E kjo po ndodhë meqenëse përballë nesh kemi një opozitë që e ka kuptuar se nuk mund ta mundë popullin, prandaj ka zgjedhur të bllokojë shtetin. Ata mendojnë se duke bllokuar zgjedhjen e presidentit, do të bllokojnë vullnetin popullor. Por jeta nuk bllokohet me procedura, dhe vullneti i popullit është i gjallë. Vullneti i popullit shqiptar të Kosovës nuk është një nen kushtetues me të cilin mund të abuzojë dikush, është forcë e historisë që na shpie pandalshëm përpara.

Të nderuar pjesëmarrës të Këshillit të Përgjithshëm të VETËVENDOSJE!-s,

Poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri, flet për qiriun që tretet vetë për të bërë dritë. Pra për të bërë atë dritë e cila na mundëson të shohim e të njohim njëri-tjetrin – cili vërtet e do vendin dhe popullin tonë, e cili do thjesht pasuri e fitim për veten e vet. Drita është ajo që na e bën natën ditë. Dhe drita jonë, drita e VETËVENDOSJE!-s, buron nga e vërteta e thjeshtë se ne nuk i takojmë pushtetit, por pushteti i takon popullit.

Shpesh na akuzojnë se jemi “teorikë”. Por shifrat e shtetit janë poezia më kokëfortë e realitetit tonë. Ja një shifër e këtillë: kur ne erdhëm në pushtet, ishin dhjetë terminale doganore private. Sot të gjitha terminalet doganore janë shtetërore. E pra, kjo shifër kaq faktike, kaq e thjeshtë dhe e kuptueshme, na shpjegon se pse janë çartë dhe nuk pranojnë asgjë tjetër por vetëm bllokojnë. Dikur milnin pare nga terminalet private, por sot paraja shkon tek ai që punon, e kurrsesi tek ai që vjedh.

Sot ne kemi një ekonomi që prodhon vlerë. Nga 7 miliardë euro që ishte Bruto Produkti Vendor kur ne morëm detyrën, po e prekim 12 miliardëshin tani. Kjo nuk është rritje në letër, është rritje në tavolinat e bukës, është rritje e mirëqenies dhe e mundësive, është rritje e investimeve dhe e fitimeve. Edhe para nesh dikush fliste për rritje, por ajo ishte rritje e vogël e për pak njerëz; ne e bëmë rritje për të gjithë, mesatarisht 6% të Bruto Produktit Vendor çdo vit, e sivjet gjithashtu do ta kemi rreth 4%, sikurse në vitin e kaluar. Shifrat tona janë pra fytyra e dinjitetit të ri të Kosovës për Kosovën.

E kemi rritur edhe buxhetin për 2/3. Nga 2.4 miliardë sa e gjetëm në 4 miliardë euro. Ata që dikur vidhnin në gjithçka, nga asfalti e deri te shkollat, sot çuditen se si mund të bëhet punë pa vjedhur. Sekreti është i thjeshtë e madje edhe publik. Mjafton të punosh për zemrën e jo për xhepin, të planifikosh me tru e jo me bark.

Kemi rritur pagën minimale nga 130, përkatësisht 170 euro, sa e patëm gjetur, në 425 euro sa është aktualisht dhe 500 euro siç do të bëhet prej 1 korrikut sivjet. Paga minimale 500 euro, e patatueshme! Kush e do popullin, ia rrit të ardhurat; kush do pushtetin për vete, ia vjedh ato.

Dhe, jo vetëm që paga minimale do jetë 500 euro e patatueshme për punëtorët, por edhe për bizneset, sidomos ato të vogla që duan të rriten, kjo është një ndihmesë e jashtëzakonshme për shkak se 6 mijë eurot e para do të jenë të patatueshme.

Kemi punësuar mbi 80 mijë qytetarë të rinj në këto pesë vitet e fundit. Punësimin e kemi ngritur nga 350 mijë në 430 mijë qytetarë të punësuar. Papunësia ka rënë nga mbi 25% në më pak se 11%. Pra para pesë vjetëve edhe më shpesh se çdo i katërti ishte i papunë, e tash që po flasim edhe më rrallë se çdo i nënti është i papunë. Para pesë vjetëve vështirë ke mundur të gjesh ndonjë familje pa dikë të papunësuar, ndërkaq tash nuk mjaftojnë as dy familje që ta gjesh dikë të papunë.

Përmes programit SUPERPUNA, mbi 23 mijë të rinj e të reja gjetën vendin e punës, me pagën minimale të garantuar për gjashtë muaj nga shteti. Kemi dyfishuar eksportet dhe investimet e huaja direkte – investitorët pra vijnë aty ku ka shpresë, dhe Kosova është vendi i shpresës e i fitimit. Në gazetat amerikane e evropiane këto javët e fundit po shkruhet për sukseset e Kosovës në punësimin rinor, sidomos për sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. E pra, atje ku më parë shihej dyshim, ne mbollëm besim dhe po korrim zhvillim!

Për herë të parë në historinë e Kosovës kemi ofruar shtesa universale për mbi 400 mijë fëmijë dhe rreth 80 mijë nëna lehona. Së fundmi, shtesat për fëmijë edhe u rritën, dhe nuk ua morëm paratë taksave për t’ua dhënë pushtetarëve siç është bërë në të kaluarën, por ua shpërndamë ato fëmijëve e nënave e gjithë popullit të Kosovës, sepse këta fëmijë janë e ardhmja ashtu sikurse edhe familjet e tyre që janë e sotmja e ekonomisë dhe e zhvillimit tonë.

Pensionet i rritëm për të gjitha kategoritë, pa dallim. Dhe për katër vjet, gjashtë pensione të 13-ta janë marrë nga të moshuarit e dashur tonë.

Pagat në sektorin publik i rritëm tri herë brenda mandatit. Arsimin e bëmë falas në të gjitha nivelet – bachelor e master – sepse mendja e ndritur e rinisë sonë është pasuria më e madhe e Republikës. Investimi në dije është investimi më strategjik, dhe ne këtë e bëmë pa kursim.

Në shëndetësi, buxhetin e barnave esenciale e gjetëm 24 milionë euro dhe e trefishuam; e tani e kemi mbi 100 milionë euro. Nga “klinika pas klinike” kaluam te “spital pas spitali” në renovim, diku edhe rindërtim, por gjithsesi gjithandej modernizim. Do të ndërtojmë poliklinika specialistike në Drenas, Sharr, Viti, Rahovec e Leposaviq, dhe ajo që kemi ndërtuar në Podujevë është shembulli si do të duket edhe në këto komuna që i përmenda poliklinika e re në shërbim të qytetarëve. E po ashtu edhe poliklinika të tjera stomatologjike anembanë vendit. Sepse shëndeti nuk është privilegj, por e drejtë themelore dhe ne po e kthejmë atë në realitet të përdishëm të përvojës së jetesës së qytetarëve tanë!

Në bujqësi, 120 mijë fermerë kanë marrë mbi 300 milionë euro grante dhe subvencione, dhe sipërfaqja e punueshme është rritur për 50%: rreth 80 mijë hektarë kanë qenë të punuara më herë, tash janë rreth 120 mijë hektarë. Fermeri ynë tani e sheh tokën jo si barrë, por si mundësi. E kemi subvencionuar akcizën e naftës dhe po krijojmë skemën e sigurimit bujqësor nga fatkeqësitë natyrore, sepse fshati i fortë është themeli i shtetit dhe përparimi i kombit. Sepse kemi besuar në një parim të panjohur për opozitën në Kosovë: pasuria rrjedh nga mosvjedhia. Pra që të pasurohet shteti, duhet të mos vidhet qytetari dhe pikërisht këtë gjë e kemi bërë ne me kaq shumë sukses, e do të vazhdojmë edhe për shumë vite në vijim.

Në siguri, Kosova nuk është më e pambrojtur sikurse dikur. Buxhetin e ushtrisë e trefishuam, blerjet për armatim e municion u qindfishuan. Kemi dyfishuar numrin e ushtarëve me 2271 rekrutë të rinj për Forcën e Sigurisë së Kosovës, kemi ngritur moshën e rekrutimit nga 23 në 25 vjeç dhe kemi hequr tavanin prej 5 mijë pjesëtarësh. Në mandatin e ardhshëm do të ndajmë mbi 1 miliard euro për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Dikur ju e dini që na kërcënonin bandat – sot rendi dhe ligji janë në duart e sigurta të policisë e të ushtrisë sonë.

Në veriun e Republikës sonë, rendi dhe ligji nuk janë mysafirë të rrallë, por janë zot shtëpie. Nuk ka më të ashtuquajtura “Mbrojtje Civile” e “Brigadë të Veriut”, ka Polici të Kosovës. Ata mund të bëjnë qysh po bëjnë postime nga Kraleva e Serbisë, dhe vërtet është për të ardhur keq që fqinji ynë verior i mbron, i strehon dhe i financon këta terroristë, ndër të cilët spikat Millan Radoiçiq, kryekrimineli i sulmit terrorist në Banjskë. Sidoqoftë, me apo pa mbrojtjen e Serbisë, ata në Kosovë janë arrestuar dhe asgjësuar. Në Banjskë policia e Kosovës sekuestroi nga terroristët 165 armë dhe sistem armësh, si dhe 63.083 municione, ku përfshihen granata, mina, eksplozivë dhe predha. Përveç këtyre, në vitet 2021-2026, në veri të Kosovës Policia jonë ka kapur 611 armë të tjera dhe 17.765 municione. Pra, po t´i mbledhësh këto, del se arsenalet e kapura kanë qenë të mjaftueshme për shumë qindra terroristë që do të kishin armatim dhe municione të bollshme për të bërë trazira e destabilitet në Kosovë. Ne mund të themi, bazuar në këto shifra, se përgjatë qeverisjes sonë të mirë institucionet e rendit publik në vendin tonë kanë parandaluar një luftë të re, të cilën e kanë planifikuar dhe e kanë synuar ata që e urrejnë forcimin e Kosovës, ata që haptazi angazhohen me çdo mjet kundër stabilitetit, sigurisë e paqes në Kosovë, kundër Qeverisë së Kosovës, kundër votuesit të Kosovës, i cili vazhdimisht po tregon që e dëshiron qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s.

Në veri të vendit, që përbën afër një të gjashtën e territorit, nuk ka më barrikada e struktura paralele, nuk ka më kapadai, zullumqarë e kontrabandistë, nuk ka më pika doganore që digjen, por ka kufij që mbrohen e ruhen, ka rend dhe qetësi publike. E pra, sovraniteti shtetëror nuk matet me deklarata televizive në Prishtinë, por me sigurinë e qytetarit në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë. Ne e kemi shtrirë sundimin e ligjit, e kemi shtrirë shtetin tonë në të gjithë territorin e Republikës, sepse e kemi dashur Republikën më shumë se rehatinë tonë. Në veri, ku para vitit 2021 nuk kishte asnjë stacion policor, sot kemi nëntë stacione rrotull kufirit që garantojnë sovranitetin e Republikës në çdo cep të territorit. Heroi ynë, rreshteri Afrim Bunjaku, dha jetën për sovranitet shtetëror, integritet territorial. Lavdi Afrim Bunjakut! Dhe, lavdi çdo ushtari dhe polici që e ruan territorin dhe popullin tonë!

Të dashur aktivistë, opozita po e kërkon pushtetin duke bllokuar progresin. Kjo është sikur të kërkosh të bëhesh kapiten i anijes duke ia shpuar fundin asaj. Ata refuzuan të votojnë gjatë vitit 2025 kryetaren e Parlamentit, Albulena Haxhiu. Refuzuan të votojnë për Glauk Konjufcën, njeriun e dytë më të votuar në historinë e Kosovës. Kuptohet, për mua refuzojnë gjithmonë, nuk duan të më shohin me sy e dalin në televizionet e tyre për të thënë se si unë u dashka të eleminohem me çdo mjet. Refuzuan të votojnë, qysh e dini, edhe për 1.1 miliard euro marrëveshje ndërkombëtare dhe e çuan vendin në ato zgjedhjet e kaluara. Refuzuan buxhetin. Refuzuan rritjen e pensioneve. Tash na i humbin dhjetëra milionë të mbështetjes nga bashkësia ndërkombëtare, përveç atyre mbi 10 milionë për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Shtrohet pyetja: Pse? Bindja ime e fuqishme është se qëndrimet e tyre vijnë nga frika. Frika e tyre nga fitorja jonë është më e madhe se dashuria e tyre për vendin. Me të madhe e kanë frikën e urrejtjen ndaj nesh, se sa atdhedashurinë për Republikën e Kosovës. Vetëm e vetëm pse nuk pranuam pazaret e oligarkëve, ndarjet e terminaleve doganore dhe postet e ambasadorëve, ata u bashkuan të gjithë kundër nesh – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – jo për ta ndërtuar shtetin, por për ta rikthyer atë në burim privat pasurimi. Përballë këtij fronti të errësirës, ne, me dritën e Naimit, apo edhe me dritën e Sokratit, i themi popullit: Nuk ka kthim prapa, ka vetëm ecje përpara!

I keni dëgjuar panumër herë teksa thonë: “Kurti po e izolon Kosovën”. Unë u përgjigjem: Kosova kurrë nuk ka qenë më e pranishme dhe më e mirëpritur në kancelaritë e botës se sa tani. Të përfaqësuar me dinjitet në nivele më të larta se çdo herë tjetër, teksa jemi në udhë të mbarë madje edhe me vendet mosnjohëse për njohje të reja, por edhe për integrimet evropiane e evroatlantike. Nëse vërtet doni të gjeni ndonjë izolim, eh po, jemi të izoluar nga korrupsioni. Jemi izoluar nga pazarllëqet e natës, po. Jemi izoluar nga krimi i organizuar, po. Por jemi të hapur ndaj vlerave. Jemi të hapur ndaj dinjitetit. Jemi të hapur për punë dhe për bashkëpunim, e edhe nga opozita kërkuam bashkëpunim për presidentin, por ata nuk e ofruan asnjë emër. Apo, edhe kur flisnin për ndonjë emër, nuk e ofruan asnjë nënshkrim. Apo, kur edhe i treguan disa nënshkrime, nuk ishin nënshkrime për ndonjë emër. Hapjes sonë ata iu përgjigjën me bllokim e vetëm me bllokim. Prandaj edhe quhen blloku opozitar.

Me fjalë të tjera, të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, opozita bllokon sepse tashmë kemi bllok opozitar. Është në qenien e tyre bllokimi. Ju e shihni se si mbështesin, ndihmojnë njëra-tjetrën, dhe sa shpejt e kollaj bëhen kundër VETËVENDOSJE!-s dhe qeverisjes sonë. Në vitin 2025 thanë: nuk e duam Albulenën! Erdhi një aktgjykim superkreativ i Gjykatës Kushtetuese që tha se Albulena ka të drejtë tri herë të propozohet. Në vend të Albulenës e sollëm kryetaren e Partisë Guxo, që gjithashtu është partnere e koalicionit tonë, Donika Gërvallën. Thanë: nuk e duam Donikën. Pas Donikës, ministrin e Financave, Hekuran Muratin. Thanë: nuk e duam ministrin, as ministrin e Financave Hekuran Murati. Pas Hekuran Muratit erdhi ish ministrja e Arsimit, Shkencës, Tekonologjisë dhe Inovacionit, tash Kryesuese e Grupit tonë Parlamentar, Arbërie Nagavci. Thanë: nuk e duam as Arbërie Nagavcin. Në fund e votuan propozimin e Arbërisë, që nuk e deshën, Dimal Bashën, siç e dini ju. Dhe, kur erdhi puna te Qeveria, thanë s’vjen në konsiderim Albini. Po ja ku është Glauk Konjufca kandidat për kryeministër? Thanë: nuk e duam as Glaukun! Dhe, shkuam në zgjedhje.

Sivjet nuk donin kurrfarë propozimi konsensual për president të republikës. Dhe çfarë bëmë ne, më pak se 30 orë para mesnatës ndërmjet 5 dhe 6 marsit, propozuam Glauk Konjufcën, me mbi 318 mijë vota. Nëse s’kemi konsensual askë, atëherë po e prezantojmë atë që ka më së shumti mbështetje popullore, sepse fundja ky është edhe kuptimi i demokracisë, ky është kuptimi i zgjedhjeve elektorale. Dhe, kundërkandidat i Glaukut, më pak se 3 orë para mesnatës ndërmjet 5 dhe 6 marsit, ishte deputetja jonë e nderuar, doktoresha Fatmire Mulhaxha-Kollçaku. Thanë: nuk i duam këta asnjërin.

Me dekret presidencial ju thanë të gjithë deputetëve shkoni në shtëpi, kur ishin bërë veçse dy muaj e gjysmë që ishin mbajtur zgjedhjet. E fituam një kohë shtesë prej rreth pesë javësh dhe u përpoqëm me krejt çka dimë e mundemi. Lidhjes Demokratike të Kosovës i thamë ejani në bashkëqeverisje: zëvendëskryeministrin dhe katër ministri, që është dyfishi i asaj që ka Partia Guxo. Thanë jo. Atëherë edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe Partisë Demokratike të Kosovës ju thamë meqenëse e keni shumë hall që ne po i marrim tri pozitat e larta shtetërore, le ta bëjmë një rrokadë në kryesinë e Kuvendit, ku ju merrni kryetarin e Kuvendit, ndërkaq kryetarja jonë bëhet nënkryetare e nënkryetari juaj bëhet kryetar, ose edhe kryetari i partisë le të bëhet kryetar, është çështje e tyre. Së pari, LDK tha jo. PDK, po ashtu, jo. Dhe, kur as kjo nuk pati sukses, ne thamë që tërhiqen Glauku dhe Fatmirja, nëse ju na i sjellni tre emra, sepse PDK-ja me 22 deputetë dhe LDK-ja me 15 deputetë duhet të bëhen bashkë që të propozojnë një emër të vetëm, e ne ju thamë ju që bashkë kur bëheni mund të propozoni veçse një emër, ju propozoni tre emra dhe ne ua garantojmë që njëri prej tyre zgjidhet. Edhe a e di si e garantojmë?! Ju thamë që ua garantojmë sepse së pari ua japim nënshkrimet që ata të kualifikohen për aplikim dhe në fund ua garantojmë do të zgjidhet njëri prej tyre! Asnjë përgjigje prej tyre. E kur japin përgjigje: bllokim, refuzim. Tre kandidatë PDK dhe LDK, që i kanë vetëm 37 nënshkrime në rastin më të mirë, kanë mundur të na i propozojnë, ndërkohë që atyre ju nevojiten 90 nënshkrime. Por, ata me 37 kandidatë, në rastin më të mirë, dhe ne si mazhorancë me 66 kandidatë do të mbërrinim mbi 100 nënshkrime, kështu që 90 do t’i kishim të sigurta! Paramendojeni seancën e Kuvendit të Republikës ku duhet të votohet patjetër për njërin prej tre kandidatëve që të gjithë ata tre të propozuar nga opozita, e cila, përndryshe kur bëhet bashkë, këtu po e fusim edhe subjektin tjetër AAK-në, PDK, LDK, AAK të trija së bashku i kanë 43 deputetë, ne 57! Krejt me i bë bashkë nuk bëjnë sa na. Krejt m’i bë bashkë duhet me ua shtu edhe një të tretën e tyre me u bë sa na. E ne ju thamë propozoni tre kandidatë, ne ua zgjedhim njërin, thanë: jo!

Partia Demokratike e Kosovës ndodhet në kuadër të familjes së partive liberale evropiane “Reneë Europe”, “Ripërtërije Evropën”, kështu quhet familja e partive liberale në Evropë, ku bën pjesë PDK-ja. Lidhja Demokratike e Kosovës bënë pjesë në familjen evropiane të partive të djathta që quhet “Partitë Popullore Evropiane”. Le të shkojnë edhe PDK edhe LDK le të pyesin në familjet e tyre ideologjike evropiane, çka mendojnë ato për ofertën e kryeministrit dhe kryetarit Kurti nga Lëvizja VETËVENDOSJE! për bashkëqeverisje e ndarje pushteti në shtetin demokratik?

Por nuk guxojnë ta bëjnë këtë, sepse është abdsurde refuzimi i tyre për propozimet tona. Me madhësinë e vogël në të cilën kanë rënë, të mos pranojnë këto ofertat gjeneroze tona, tregon se situata është iracionale, por ne jemi subjekti fitues dhe racional, ndërkohë që bllokimi është bllokim i humbësve dhe iracional.

Të nderuar delegatë, aktivistë, ata po bllokojnë por ne do të vazhdojmë. Republika e Kosovës ka ushtruese të detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu. Ka kryeministër në detyrë, mua. Ka Qeveri në detyrë, gjithë këta ministra e zëvendësministra. Ajo çka s’ka Republika e Kosovës, është Parlamenti. Opozita e ka skenë parlamentin, se ajo në Qeveri nuk është, ajo pra e ka privuar vetën nga skena e vet. Prandaj, shteti ynë me punët e mira e të mbara do të vazhdojë. Ky bllokim nuk është pra thjesht bllokim ndaj nesh – para së gjithash është bllokimi që ia bëjnë vetëvetes së tyre. E pas zgjedhjeve ne sërish do të kërkojmë bashkëpunim për një president jo-partiak, për një president të ri jashtë skenës aktuale politike, me integritet e me kompetencë, me vlera e me merita profesionale e kombëtare. Dhe ata e dinë që kjo ofertë e jona është shprehje e hapjes tonë e që është tipike për një subjekt demokratik. Por atë që mbase ata s’e dinë dhe është mirë ta kuptojnë: edhe populli e di të vërtetën. Është e kotë që përpiqen ta mbulojnë të vërtetën me sajesa, me sofizma, me narrativa false që i përsërisin nëpër mediat e tyre private. Një mendimtar i njohur thoshte se “E vërteta nuk ka nevojë për shumicën që të mbetet e vërtetë, por shumica ka nevojë për të vërtetën që të mbetet e lirë”. Dhe në Kosovë shumica e di fort mirë të vërtetën dhe ajo është e lirë. Dhe nga kjo liri populli, shumica e votuesve, që e dinë të vërtetën e kanë 7 qershorin. Kjo e vërtetë edhe një herë do të kthehet në votë. Edhe një herë VETËVENDOSJE! do të dalë e para, edhe një herë VETËVENDOSJE! do të lëvizë përpara, më e madhe se e dyta dhe e treta së bashku. Edhe një herë do të bëjmë thirrje për opozitën që të bëhet konstruktive për shtetin dhe popullin tonë. Ata duan të na lodhin, por ne nuk lodhemi dot, sepse misioni ynë është pkrahasimisht më i rëndësishëm se çfardo lojërash të tyre.

Mandati i ardhshëm nuk është thjesht vazhdimësi, është përshpejtim.

1.​Te punësimi: Ne nuk do të ndalemi derisa të arrijmë 500 mijë të punësuar. Kjo do të thotë se çdo familje në Kosovë do të ketë të paktën dy anëtarë të punësuar me paga dinjitoze.

2.​ Investimet: 1 miliard euro në vit shpenzime kapitale. Do të përfundojmë autostradat që mbetën peng i korrupsionit të vjetër dhe i shpronësimeve të kurdisura, do të ndërtojmë spitale që shërojnë dhe shkolla që edukojnë për shekullin 21.

3. ​Edhe për ushtrinë tonë 1 miliard euro investime.

4. ​Edhe për prodhuesit tanë do të shpërndahen 1 miliard euro për teknologji e makineri të reja prodhuese.

5.​Mërgata: Ju e dini, departamenti ynë më i madh është jashtë vendit. Mërgata nuk është bankomati i Kosovës, është zemra e saj. Në mandatin e ri, do të integrojmë kapitalin dhe dijen e tyre direkt në motorin tonë ekonomik.

6.​ Te drejtësia: Vetingu do të kryhet. Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme e të Pajustifikueshme do të funksionalizohet. Nuk do të lejojmë që gjykatat të jenë strehë e krimit, por patjetër të bëhen tempull i drejtësisë.

Do të përfundojmë hekurudhën Prishtinë–Durrës, do të ndërtojmë autostradën Prishtinë–Gjilan, rrugën e Dukagjinit, 5 diga të reja për ujin dhe energjinë. Do ta kthejmë Brezovicën në xhevahir të turizmit dimëror me gjysmë miliard euro investim. Do të sjellim valutën digjitale të Kosovës, do të ngremë Kullën TIK dhe do të ofrojmë transportin publik “Anembanë” me 10 euro në muaj për biletë të integruar.

Të ardhmen nuk e presim, po e ndërtojmë me themele të forta e duar të pastra!

Lojërat Mesdhetare 2030, Teatri i Operës dhe Baletit, Muzeu i Artit Bashkëkohor, fabrika e municioneve dhe dronët “Made in Kosova” – këto nuk janë ëndrra, por projekte konkrete të cilat tashmë kanë nisur. Ne nuk jemi ambiciozë për vete sepse jemi të ri; ne jemi të ri sepse jemi ambiciozë për shtetin!

Të dashur aktivistë,

Në javët që vijnë, ju do të jeni zëri ynë. Ju do të jeni shpirti i Lëvizjes. Mos harroni: ne nuk kemi nevojë për vota të blera, sepse ne kemi mendje e zemra të vendosura për çështjen kombëtare shqiptare dhe për Republikën demokratike të Kosovës. Duhet të punojmë shumë, por porosia ime për çdo aktivist është ajo që e themi gjithmonë: jo vetëm punë shumë, por punë për shumë veta. Shpërndajeni detyrën. Angazhojeni fqinjin, mikun, familjarin. Sa më shumë njerëz të përfshirë, aq më e lehtë, aq më e madhe, aq më e thellë dhe aq më e pastër fitorja.

Pragu i të tjerëve është 5%. Pragu ynë vitin e kaluar ishte 50% e kësaj radhe po bëhet edhe më i lartë, 60%. Kosova jonë e dashur është e vogël për t’u ndarë e për t’u shitur, por është e madhe për t’u forcuar e për t’u rritur. Më 7 qershor, ne nuk votojmë vetëm për partinë. Ne votojmë për të vendosur nëse duam të kthehemi prapa në errësirën e zhvatjes, apo të ecim përpara në dritën e zhvillimit.

Guximi nuk është mungesë e frikës, por gjykimi se diçka tjetër na qenka fort më e rëndësishme se frika. Dhe për ne Republika, demokracia, sovraniteti, dinjiteti, pavarësia, mirëqenia e përparimi janë më të rëndësishme se çdo gjë. Kjo na jep guxim përtej çdo droje, përtej çdo frike. Kjo na bën të mos ndalemi.

Më 7 qershor, le të bëhemi bashkë. Për prindërit tanë që meritojnë pleqëri me dinjitet. Për rininë tonë që meriton të ardhme në vendlindje. Për Kosovën tonë, që meriton të jetë e lirë, e pavarur dhe e zhvilluar. Qeverisja jonë është demokratike, Kosova do të ketë edhe president të unitetit në përputhje edhe me frymën tonë, e cila u shpreh së fundmi në Kuvendin e Republikës, përkatësisht në seancën e fundit të legjislaturës së dhjetë, kur u tërhoqën Glauk Konjufca e Fatmire Mulhaxha-Kolçaku, vullnetarisht, dhe propozuam lideren e shoqërisë civile, doktoreshën Feride Rushiti për presidente të republikës, por sërish ashtu siç jemi mësuar ngahera: ne propozojmë, ata refuzojnë! Por më 7 qershor do të ndodhë kjo në një mënyrë ndryshe, ne që propozojmë fitojmë, ata që refuzojnë mbarojnë.

Sepse ne e dimë çfarë duam: popullin e lirë, shtetin e fuqishëm, Kosovën fituese! Dhe do t’ia dalim. Sepse kur VETËVENDOSJE! ngre zërin, bllokadat e vjetra dridhen deri sa të shemben. Kur populli bashkohet, nuk ka digë që e ndal.

E më 7 qershor, fitorja nuk do të jetë e imja, por e çdo nëne që merr shtesën, e çdo punëtori që sheh rrogën e rritur, e çdo studenti që studion pa pagesë, e çdo ushtari që ruan kufirin, e çdo fermeri që kultivon tokën, e çdo polici që garanton sigurinë, e çdo mërgimtari që do të kthehet dhe të ndihet krenar.

Së bashku, pa u ndalur, me zemër e me mendje, për fitore të thellë

Nuk lëshojmë pe! Për Kosovën e të gjithëve, pa lënë asnjë mbrapa!

Me punë dhe nder, me dije dhe guxim. Drejt fitores! Vetëvendosje!

Ju faleminderit shumë për vëmendjen, pjesëmarrjen dhe mbështetjen masive e të vazhdueshme!

JU REKOMANDOJMË

Muja: Sektori i qumështit po përballet me presione nga jashtë, dyshohet zëvendësimi i yndyrave shtazore me ato bimore

Muja: Sektori i qumështit po përballet me presione nga jashtë, dyshohet zëvendësimi i yndyrave shtazore me ato bimore
10/05/2026 - 13:35

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja ka deklaruar se sektori i qumështit në Kosovë po përballet me presione të jashtme, ndërsa ka ngritur dyshime se...

Më shumëDetails

SHBA me projekte të reja – një rrjet miliardash në Ballkan dhe një mungesë që bie në sy: Kosova

SHBA me projekte të reja – një rrjet miliardash në Ballkan dhe një mungesë që bie në sy: Kosova
10/05/2026 - 13:15

Ndërsa gazi po kthehet në armën kryesore të sigurisë energjetike në Evropë, Shtetet e Bashkuara po shtyjnë fuqishëm projekte të reja në Ballkanin Perëndimor. Nga Shqipëria në Bosnje...

Më shumëDetails

Lushtaku e pret Hamzën në Skenderaj, vërshojnë komentet për kthimin e Limajt në PDK

Lushtaku e pret Hamzën në Skenderaj, vërshojnë komentet për kthimin e Limajt në PDK
10/05/2026 - 12:55

Ish-deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku përmes një postimi ka bërë të ditur se kafën e mëngjesit e ka pirë me kryetarin e kësaj partie Bedri Hamza në qytetin...

Më shumëDetails

Tre arinj hyjnë në oborrin e një familjeje në Hoçë të Prizrenit

Tre arinj hyjnë në oborrin e një familjeje në Hoçë të Prizrenit
10/05/2026 - 12:31

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Hoçë të Komunës së Prizrenit, ku tre arinj janë futur në oborrin e një familjeje, duke shkaktuar frikë dhe shqetësim te...

Më shumëDetails

E rëndë në Durrës, 19-vjeçarja i jep fund jetës duke u hedhur nga pallati, detajet e para

E rëndë në Durrës, 19-vjeçarja i jep fund jetës duke u hedhur nga pallati, detajet e para
10/05/2026 - 12:26

Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë mëngjes së Durrës. Një 19-vjeçare dyshohet se, në kushte të rënduara psikologjike i ka dhënë fund jetës, raporton tch. Ajo është...

Më shumëDetails

Vjosa Osmani prezanton aderimin e radhës: I nderuar Visar, na priftë e mbara në këtë rrugëtim të përbashkët!

Vjosa Osmani prezanton aderimin e radhës: I nderuar Visar, na priftë e mbara në këtë rrugëtim të përbashkët!
10/05/2026 - 11:48

Vjosa Osmani ka vazhduan me prezantimin e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 7 qershorit. Përmes një postimi, Osmani ka njoftuar listës së saj i është bashkuar edhe...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Ekskluzive: Këto figura të fuqishme të LDK-së munguan në mbledhjen e sotme të KP-së – A është ky mesazh për Abdixhikun?

    Ekskluzive: Këto figura të fuqishme të LDK-së munguan në mbledhjen e sotme të KP-së – A është ky mesazh për Abdixhikun?

    155 Shpërndaje
    Shpërndaje 62 Tweet 39
  • Kjo është e dashura 50-vjeçare e Romeo Veshajt?

    124 Shpërndaje
    Shpërndaje 50 Tweet 31
  • Bëhen “kërrsh” për një pronë vëllezërit në Mitrovicë, dërgohen në mbajtje

    88 Shpërndaje
    Shpërndaje 35 Tweet 22
  • Çarja po merr formë/Bajrami injoron komplet nominimet e LDK-së për president e kryeministër, reagon për problemin e fermerëve me qumësht

    84 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 21
  • Mungesa e Hotit dhe Hykmete Bajramit në mbledhjen e këshillit, deklarohet Lumir Abdixhiku

    84 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 21

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë