Ministri në detyre i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar ndaj kritikave për Ligjin e ri për Shtetësinë, duke deklaruar se dispozitat e kontestuara kanë qenë pjesë edhe e ligjeve të viteve 2008 dhe 2013, kur opozita aktuale ishte në pushtet.
Ai tha se neni 31 i ligjit të ri është identik me nenin 155 të Kushtetutës së Kosovës dhe se akuzat për zbatim të “politikave të Çubrilloviqit” bien mbi opozitën.
Sveçla theksoi se për qeverinë mbetet prioritet lehtësimi i procedurave për rifitimin e shtetësisë për mërgatën.
Ministri në detyrë ftoi opozitën që, pas konstituimit të Kuvendit, të mbështesë ndryshimet kushtetuese që lidhen me çështjen e shtetësisë.
Postimi:
Për të gjithë kampin opozitar, i cili është në rënie të lirë dhe në përpjekje për të njollosur punën e qeverisë sonë, rikujtojmë se Ligji paraprak për Shtetësinë është miratuar në vitin 2013, e para tij ishte në fuqi Ligji i vitit 2008 pikërisht në kohën kur ata qeverisnin vendin. Neni 31 i Ligjit të ri për shtetësinë, e përmban dispozitën e njejtë nga neni 32 i Ligjit të miratuar në vitin 2013, të cilën gjithashtu e përmbante ligji i vitit 2008. Prandaj, akuzat se ne po zbatojmë politika të Çubrilloviqit bien mbi vetë ata.
Për më tepër, e drejta për fitimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës për personat që kanë pasur banimin dhe shtetësinë e RFJ-së në Kosovë më 1 janar 1998, për të cilën sot thonë se favorizon komunitetin serb, ka qenë dispozita e vetme kalimtare e Kushtetutës që është shndërruar në normë të përhershme kushtetuese. Kjo ka ndodhur në vitin 2012, kur opozita e sotme ishte në pushtet. Dispozita e nenit 31 të Ligjit të ri për shtetësinë, është marrë në mënyrë identike nga neni 155 i Kushtetutës, duke qenë se në vitin 2012 është bërë pjesë e dispozitave themelore të Kushtetutës dhe rrjedhimisht edhe dispozitë e obligueshme e Ligjit për Shtetësinë.
Të dashur qytetarë, e veçanërisht ju nga mërgata,
Për ne si qeveri mbetet me rëndësi që, përmes ligjit të ri, të lehtësojmë procedurat për rifitimin e shtetësisë për ju. Ndërsa sa u përket dispozitave që ndërlidhen me komunitetin serb, siç e sqarova më sipër, përgjegjësinë për këtë duhet ta kërkoni te blloku i tanishëm opozitar dhe vendimet që ai ka marrë në të kaluarën.
Ftoj opozitën e tanishme dhe të ardhshme që pas konstituimit të legjislaturës së Kuvendit, të na mbështesin kur si pozitë inicojmë ndryshimet kushtetuese, duke përfshirë edhe këto për të cilat po flasin.
Ne do të vazhdojmë pa u ndalur, pavarësisht sfidave dhe pengesave që kanë mbetur si pasojë e keqqeverisjes dhe abuzimeve të tyre shumëvjeçare, duke punuar çdo ditë në shërbim të qytetarëve dhe në mbrojtje të interesit të Republikës së Kosovës.














