Barna pa banderolë, të paregjistruara dhe madje me afat të skaduar janë gjetur në spitalin privat “Sante Plus Hospital” në Prishtinë.
Sipas dokumenteve të siguruara nga portali Front Online, me kërkesë të Inspektoratit Shëndetësor, Inspektorati Farmaceutik më 20 maj 2025 ka kryer inspektim në subjektin “Sante Plus Hospital”, me seli në Prishtinë, pronë e Bilal Kara.
Gjatë inspektimit në këtë spital janë kapur barna me afat të skadencës në vitin 2021
Sipas gjetjeve të përfshira në raportin zyrtar të inspektimit, gjatë kontrollit në këtë institucion shëndetësor janë hasur produkte medicinale të pa-autorizuara për përdorim në tregun e Republikës së Kosovës, të paregjistruara, pa banderolë, ndërsa një pjesë e tyre kanë rezultuar edhe me afat të skaduar.
Sipas raportit, pala e pranishme gjatë inspektimit nuk ka arritur të prezantojë dokumentacionin ligjor përkatës, i cili do të dëshmonte origjinën, furnizimin dhe ligjshmërinë e këtyre produkteve medicinale.

Në dokument thuhet se gjatë inspektimit janë ofruar disa fatura furnizimi me numrat 12239/25, 9939/2025 dhe FA-24-26072, mirëpo, sipas konstatimeve të Inspektoratit Farmaceutik, asnjëra prej këtyre faturave nuk është përputhur me produktet e gjetura në objekt gjatë kontrollit.
Sipas raportit, për shkak se këto produkte janë konsideruar të rrezikshme për shëndetin publik, Inspektorati Farmaceutik ka ndërmarrë masa.
“Për shkak se këto produkte janë konsideruar të rrezikshme për shëndetin publik, Inspektorati Farmaceutik i ka konfiskuar ato në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në raportin e Inspektoratit Farmaceutik.

Tutje, Inspektorati ka konstatuar se subjekti ka vepruar në kundërshtim me nenin 14 të Ligjit Nr. 04/L-190 për Produkte dhe Pajisje Medicinale, pasi në objekt janë gjetur produkte medicinale pa autorizim, pa regjistrim, pa banderolë dhe në disa raste edhe me afat të skaduar.
Raporti po ashtu i referohet Udhëzimit Administrativ Nr. 12/2013, i cili përcakton qartë se produktet farmaceutike pa banderolë, të skaduara apo të dyshimta për origjinën dhe ligjshmërinë e tyre, duhet të konfiskohen dhe të shkatërrohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Edhe pse, sipas raportit, pala ka pretenduar se do ta sjellë dokumentacionin plotësues për të dëshmuar origjinën e produkteve të gjetura, deri në datën e nxjerrjes së raportit dhe të vendimit nuk është dorëzuar asnjë dëshmi përkatëse.
Në fund të procedurës, Inspektorati Farmaceutik ka rekomanduar që subjekti në fjalë të operojë vetëm me produkte medicinale që janë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës.

Rasti është shoqëruar edhe me vendim për gjobë me numër 10/E-022-25, si dhe me procesverbalin e inspektimit dhe fletën përmbledhëse të produkteve medicinale të konfiskuara.
Nga spitali s’është kthyer asnjë përgjigje.














