Një person ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra me thikë në Mitrovicë të Jugut, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima është Erduan Ibrahimi, i cili dyshohet se u godit me thikë në fyt gjatë incidentit që ndodhi në rrugën “Adem Voca”, rreth orës 21:45.
Ai u dërgua fillimisht në Spitalin Rajonal, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe u shpall i vdekur.
Nga i njëjti rast ka mbetur i plagosur edhe Shaban Ibrahimi, i cili po trajtohet në QKUK në Prishtinë dhe sipas informacioneve të para, gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë.
Për rastin është arrestuar A. S, i cili dyshohet se i sulmoi të dy me thikë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit rajonalë dhe ekipet e kriminalistikës, ndërsa është sekuestruar edhe thika që dyshohet se është përdorur në kryerjen e krimit.













