Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka prezantuar platformën e saj me 113 zotime për qytetarët e Kosovës. LDK ka theksuar se bëhet fjalë jo vetëm për një program politik, por për një plan konkret pune që synon zhvillimin ekonomik, përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe forcimin e shtetit.
Në mesin e zotimeve kryesore, LDK ka përmendur rritjen e menjëhershme të pagave përmes koeficientit 150 dhe dyfishimin e pensioneve, si dhe garantimin e punësimit dhe trajnimit për 40 mijë të rinj të diplomuar.
Partia ka premtuar gjithashtu masa për uljen e çmimeve, përfshirë moratoriumin për çmimet e energjisë dhe uljen e çmimeve të produkteve bazike.
Në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë, LDK është zotuar për forcimin e aleancës me Perëndimin, duke synuar anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian, si dhe rritjen e besueshmërisë ndërkombëtare të vendit.
Këto janë 10 zotimet kryesore të Lidhjes Demokratike të Kosovës:
1. Paga më të larta, menjëherë,
Koeficienti 150 dhe dyfishimi i pensioneve.
2. Punë për çdo të ri të diplomuar,
Punësim i garantuar dhe trajnim për 40 mijë të rinj.
3. Ulje e çmimeve,
Moratorium i çmimeve të energjisë dhe ulje e çmimeve të produkteve bazike.
4. Aleancë e pathyeshme me Perëndimin,
Kosova në NATO e BE, përfaqësim dinjitoz, partneritet strategjik, siguri kombëtare dhe besueshmëri ndërkombëtare.
5. Pavarësi energjetike për Kosovën,
Central i ri me gaz amerikan.
6. Kosova e lidhur përmes infrastrukturës rrugore,
Përfundimi i autostradave dhe magjistraleve brenda mandatit.
7. Dhjetëra-mijëra vende të reja pune,
Investitor strategjik në ICT dhe ekonomi digjitale.
8. Mbështetje për familjen, me ligj,
Shtesa të garantuara për fëmijë, lehona, gra kujdestare dhe pensionistë.
9. Spital i ri i Kosovës,
Kujdes shëndetësor modern e dinjitoz.
10. Mësim tërëditor për fëmijët tanë,
Në secilën komunë të Kosovës.














