Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit pritet të prodhojë negociata të gjata politike për formimin e institucioneve të reja. Analisti politik Shkëlzen Maliqi vlerëson se ndonëse shpërndarja e votave nuk përbën befasi, vendi është kthyer në pikën ku ndodhej para më shumë se një viti, ndërsa partitë kryesore kanë paguar çmimin e bllokadës politike dhe zgjedhjeve të parakohshme.
Në një intervistë për Indeksonlinen, Maliqi flet për rezultatin zgjedhor, mundësitë për krijimin e qeverisë së re, rolin e partive opozitare dhe skenarët që mund ta presin Kosovën në muajt në vijim.
Sipas Maliqit, zgjedhjet e fundit e kanë kthyer Kosovën në pikën ku ndodhej më shumë se një vit më parë.
“Rezultati nuk ishte befasi. Ishte e pritshme që shpërndarja e votave të ishte e afërt me zgjedhjet e kaluara. Praktikisht, këto zgjedhje na kanë kthyer 16 muaj mbrapa. Është humbur kohë për ambicie, smira dhe inate politike, ndërsa partitë kryesore e kanë paguar çmimin për këtë”, tha ai.
Duke komentuar rezultatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Maliqi thotë se megjithëse partia e Albin Kurtit ka dalë e para, ajo ka pësuar rënie të mbështetjes qytetare.
“Albin Kurti dhe Vetëvendosje mund të festojnë fitoren, por në të njëjtën kohë kanë humbur më së shumti votues. Qytetarët i kanë dërguar një mesazh të qartë se pushteti absolut nuk është zgjidhje dhe se duhet të ketë gatishmëri për ndarjen e përgjegjësive”, u shpreh ai.
Analisti kritikoi edhe partitë opozitare, duke thënë se as ato nuk kanë arritur të ofrojnë alternativa bindëse për qytetarët.
“PDK-ja humbi një numër të konsiderueshëm votuesish dhe nuk tregoi lidershipin e nevojshëm për të ofruar një projekt politik që do ta çonte Vetëvendosjen në opozitë. Ndërsa LDK-ja, pavarësisht rritjes së lehtë, mbetet larg pritshmërive dhe ende nuk po arrin të dalë me një strategji të qartë politike”, deklaroi Maliqi.
Sipas tij, AAK-ja është subjekti që ka dalë më pozitivisht nga procesi zgjedhor dhe mund të luajë rol të rëndësishëm në negociatat për krijimin e institucioneve.
“AAK-ja është rifreskuar dhe mund të shërbejë si faktor kompromisi në periudhën që po vjen. Në situatën aktuale, vendi ka nevojë për zgjidhje pragmatike dhe jo për bllokada të reja politike”, tha ai.
Duke folur për mundësinë e formimit të qeverisë, Maliqi vlerëson se gjithçka varet nga gatishmëria e Kurtit për të arritur marrëveshje me partitë e tjera.
“Këtë herë ai nuk e ka komoditetin për ta formuar i vetëm qeverinë. Duhet të ketë marrëveshje politike jo vetëm për kabinetin qeveritar, por edhe për postin e presidentit. Kjo do të jetë pika kyçe e negociatave”, tha ai.
Maliqi nuk përjashton as mundësinë e një bashkëpunimi ndërmjet partive opozitare nëse ato arrijnë të ndërtojnë një platformë të përbashkët politike.
“Nëse PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja arrijnë të sigurojnë më shumë deputetë se Vetëvendosje, nuk duhet përjashtuar as një koalicion mes tyre. Ato duhet të diskutojnë seriozisht për një program të përbashkët që lidhet me dialogun, integrimet euroatlantike dhe zhvillimin ekonomik”, theksoi ai.
Sa i përket mundësisë së zgjedhjeve të reja, Maliqi thotë se ky mbetet një skenar real nëse partitë nuk arrijnë kompromis.
“Nëse nuk ka marrëveshje për formimin e institucioneve, vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje. Por kësaj radhe përgjegjësia politike do të jetë shumë më e qartë dhe qytetarët do ta dinë se kujt duhet t’ia faturojnë bllokadën”, përfundoi Maliqi.














