Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpjeguar se çfarë do të ndodhë pas përfundimit të numërimit të fletëvotimeve përmes postës dhe fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe atyre nga votimi i personave me nevoja të veçanta.
I pyetur nëse KQZ do të shpallë rezultatet përfundimtare menjëherë pas përfundimit të numërimit të këtyre fletëvotimeve, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se kjo mund të bëhet nëse nuk do të ketë ankesa lidhur me administrimin e numërimit në QNR. Por, nëse do të ketë ankesa, atëherë KQZ-së do t’i duhet të presë shqyrtimin e tyre.
“Natyrisht se pas përfundimit të numërimit të të gjitha këtyre fletëvotimeve, KQZ do të presë afatin e ankesave lidhur me administrimin e numërimit në QNR, pasi palët kanë të drejtë të dorëzojnë ankesa brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar. Në rast se nuk do të ketë ankesa, KQZ është e gatshme për të proceduar me shpalljen e rezultateve përfundimtare, ndërsa nëse do të ketë ankesa, atëherë KQZ do të presë vendimmarrjen e institucioneve përkatëse dhe do të zbatojë vendimet nëse ato e obligojnë KQZ-në”, tha Elezi.
Sipas tij, aktualisht KQZ është në fazën përmbyllëse të numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës. Ashtu siç kemi planifikuar, numërimi i të gjitha fletëvotimeve nga ky votim do të bëhet në mesjavë dhe gjithashtu në numërim do të përfshihen edhe fletëvotimet nga votimi me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta.
Më tej, Elezi sqaroi se “në planin e aktiviteteve të miratuar nga KQZ, në fillim të këtij procesi zgjedhor, është planifikuar që shpallja e rezultateve të bëhet deri më 26 qershor, ndërkaq certifikimi i tyre deri më 6 korrik. Mund të themi se jemi në rrugë të mirë që kjo të bëhet më shpejt sesa këto planifikime”.
Po ashtu, sipas tij, “në fund të këtyre numërimeve, KQZ do të rinumërojë deri në 10% të vendvotimeve, fletëvotimet e të cilave janë numëruar paraprakisht në Qendrat Komunale të Numërimit. Kjo masë kontrolli është marrë nga KQZ për të adresuar problemet e evidentuara në disa nga Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar dhe ka për qëllim të sigurohet që numërimi është zhvilluar me saktësi”.
Sipas të dhënave të KQZ-së, nga numërimi i fletëvotimeve me postë kanë mbetur edhe 83 kuti votimi në të cilat janë sistemuar zarfet e supozuara me fletëvotime nga votimi me postë. Numri i përgjithshëm i këtyre pakove që janë aprovuar nga KQZ është rreth 83 mijë.
Në proces të numërimit kanë mbetur të përfshihen edhe një pjesë e vogël e fletëvotimeve që deri më tani nuk janë numëruar. Bëhet fjalë për fletëvotimet që i takojnë votimit me kusht i mundësuar në 52 vendvotime me kusht dhe ku janë evidentuar 8,751 votues dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta, ku për këtë lloj votimi ishin regjistruar 3,144 qytetarë.













