Finlanda në muajin maj ka kthyer dy ngarkesa të kompanisë kosovare Ananas Imex, për shkak të rrezikut të produkteve me pesticide dhe mykotoksinë në nivele të larta. Njërën ngarkesë e ka kthyer më 12 maj e tjetrën më 20 maj.

Por Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë që udhëhiqet nga Drejtori Ekzekutiv, Bekim Hoxha, njoftim publik ka bërë vetëm kthimin për rastin e 20 majit, ku Finlanda ka kthyer produktin “spec i kuq të bluar BESIANA me origjinë nga Kosova, i cili ka rezultuar me prani jashtë normave të lejuara të pesticidit ‘’Carbofuran’’.

Por rasti i 12 majit ka tentuar të mbahet i fshehur nga AUV. Veriu.info ka kërkuar nga AUV qasje në njoftimin që Sistemit Evropian të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim (RASFF) i ka dërguar më 14 maj për rastin e Ananas Impex për ndalesën e hyrjes në Finlandë më 12 maj të produktit spec i kuq i shtypur për shkak të gjetjes së mykotoksinës “Ochratoxin A” në të.


Mirëpo, AUV nuk e ka ofruar njoftimin e sistemit RASFF, por vetëm ka dërguar procesverbalin e inspektimit të inspektorëve fitosanitarë të kryer më 21 maj. Pra, AUV-it i është dashur 1 javë për të inspektuar kompaninë Ananas Impex që prodhon piperin Besiana, që ka rezultuar me mykotoksinë gjatë kontrollit të autoriteteve holandeze.



Duke qenë se inspektimi është kryer një (1) javë pas njoftimit që ka marrë AUV, përkatësisht nëntë (9) ditë pasi është kthyer ngarkesa nga autoritetet finlandeze, inspektorët nuk kanë gjetur sasi të këtij produkti në kompaninë e Ananas Impex, për të cilin produkt në procesverbal thuhet se, sipas kompanisë, ky lot ka qenë i destinuar tërësisht për eksport.
Veriu.info ka tentuar të marrë një qëndrim edhe të kompanisë Ananas Impex, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara me email, përderisa një zyrtar i saj sot përmes telefonit ka bërë presion që të mos publikohet lajmi me arsyetimin “se tashmë është mbyllur kjo punë”.













