Pas takimit, Macron ka publikuar një fotografi duke i shtrënguar duart me Ramën para Pallatit Elysee, derisa ka dhënë detaje edhe për temat e diskutuara.
Ai ka shkruar në një postim në Facebook se dinamika shumë e mirë e marrëdhënieve dëshmon afërsinë mes dy vendeve.
“Mirë se erdhe i dashur Edi Rama. Dinamika shumë e mirë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Francës në fushat e inovacionit, arsimit dhe arsimit të lartë, kulturës dhe turizmit, dëshmon afërsinë tonë”, ka shkruar Macron.
Ai ka thënë se Franca mbështet Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit evropian
“Ne duam t’i japim asaj një shtysë të re, duke vazhduar gjithashtu të forcojmë bashkëpunimin tonë ekonomik dhe atë në fushën e mbrojtjes. Franca riafirmon mbështetjen e saj për integrimin europian të Shqipërisë dhe për vazhdimin e reformave të nevojshme për të ecur përpara në rrugën e saj europiane”, ka shkruar presidenti francez.













