Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka zbuluar se menaxhmenti i UP-së ka bërë mbivlerësim të detyrimeve kontingjente, duke raportuar raste që veçse ishin paguar.
Universiteti më i madh publik në vend, UP, duket se ka telashe të mëdha me “matematikën” e financave. Auditori në gjetje sqaron me detaje se si UP ka mbivlerësuar detyrimet e saj financiare, duke përfshirë lëndë që nuk duhej të ishin fare aty.
“Gjatë testimeve tona, kemi evidentuar pasaktësi në raportimin e detyrimeve kontingjente pasi që në katër raste ishin prezantuar lëndë të cilat veç se ishin paguar në vlerë prej 58,094€”, thuhet në gjetjen e Auditorit.
Përveç pagesave të dyfishta ose të pashlyera nga regjistrat, ZKA’ja ka gjetur se UP’ja ka prezantuar vlera shumë më të larta se ato realet, si dhe ka bërë gabime teknike gjatë regjistrimit të lëndëve.
“Po ashtu, në katër raste vlera e detyrimeve të prezantuara ishte shumë më e lartë se vlera e lëndëve të ofruara e që sipas zyrtarëve kjo është si pasojë e kamatës së përfshirë. Ndërsa në dy raste tjera, përshkrimi i lëndëve të prezantuara në regjistër nuk ishin të ngjashme me dokumentet burimore për shkak të gabimeve në përshkrim”, thuhet në gjetje.
“Po ashtu, në katër raste vlera e detyrimeve të prezantuara ishte shumë më e lartë se vlera e lëndëve të ofruara e që sipas zyrtarëve kjo është si pasojë e kamatës së përfshirë. Ndërsa në dy raste tjera, përshkrimi i lëndëve të prezantuara në regjistër nuk ishin të ngjashme me dokumentet burimore për shkak të gabimeve në përshkrim“, thotë më tej Auditori.
ZKA’ja thotë se kjo mënyrë e të bërit financa ka ndikim direkt në vendimmarrje dhe fsheh pasqyrën reale të institucionit para palëve të interesit.
Menaxhmenti i UP’së është pajtuar me këtë gjetje, duke mos dhënë kundërshtime.












