Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar se Kosova nuk ka marrë ftesë për pjesëmarrje në Samitin e NATO-s, pasi nuk është shtet anëtar i Aleancës dhe rrjedhimisht nuk merr pjesë në samite në cilësinë e anëtares.
Sqarimi vjen pas raportimeve në media se Kosova nuk është ftuar në samitin e ardhshëm të NATO-s.
Ministria e Mbrojtjes ka theksuar se edhe në rastet e mëparshme Kosova nuk ka pasur ftesë zyrtare për pjesëmarrje në Samitin e NATO-s.
“Lidhur me interesimin tuaj për raportimet se Kosova nuk ka marrë ftesë për pjesëmarrje në Samitin e NATO-s, ju njoftojmë se Republika e Kosovës nuk është shtet anëtar i NATO-s dhe as pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe (Partnership for Peace – PfP). Për këtë arsye, ajo nuk merr pjesë në Samitet e NATO-s si shtet pjesëmarrës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes për Ekonomia Online.
Sipas Ministrisë edhe në të kaluarën Kosova nuk ka marrë pjesë në Samitin e NATO-s si shtet pjesëmarrës, por se ftesat kanë qenë për aktivitete të veçanta të organizuara në margjinat e Samitit.
“Edhe në të kaluarën, Kosova nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s si shtet pjesëmarrës. Përjashtim kanë qenë ftesat për aktivitete të veçanta të organizuara në margjinat e Samitit, siç ishte aktiviteti “Women, Peace and Security” (Gratë, Paqja dhe Siguria), i organizuar nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë Samitit të NATO-s vitin e kaluar”, thuhet më tutje në përgjigje.
Ministria ka sqaruar se Samitet e NATO-s janë takime të krerëve të shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare të Aleancës, si dhe të partnerëve të ftuar në raste të veçanta.
“Samitet e NATO-s janë takime të krerëve të shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare të Aleancës, si dhe të partnerëve të ftuar në raste të veçanta. Prandaj, theksojmë se Republika e Kosovës nuk ka marrë pjesë ndonjëherë në një Samit të NATO-s si shtet pjesëmarrës, për shkak se nuk është ende shtet anëtar i Aleancës’, thuhet në përgjigje.
Sipas Ministrisë, Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në NATO.
“Megjithatë, Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në NATO, duke vazhduar të avancojë reformat, të përmbushë standardet e nevojshme dhe të forcojë bashkëpunimin me Aleancën dhe shtetet anëtare”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.













