Rama e tha para disa ditësh se do të dorëhiqet vetë nga pushteti ditën që Shqipëria bëhet anëtare e BE-së, sepse ky ka qenë misioni i tij në këto katër mandate që i ka fituar bindshëm në zgjedhjet paraprake. Mendoj se protesta e Zvërnecit është në rrezik që të bëhet jo gropë e Ramës, por gropë e Shqipërisë në një rrugëtim që e ka trasuar Edi Rama, me gjithë bagazhin e gabimeve që i ka bërë ose që i mvishen padrejtësisht.
Shkruan: Shkëlzen Maliqi
1.Shqipëria sot, ajo e protestave të Zvërnecit, e di çka nuk do, por jo edhe çka do. Nuk e do Ramën dhe “socialistët”, por as kundërshtarët e tij, Berishën dhe shpurën e tij të “demokratëve” që janë në grindje të përhershme se kush prej tyre duhet ta udhëheqë alternativën kundër Ramës. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës, krijimin e qeverisë teknike dhe organizimin e zgjedhjeve me garanci se ato nuk do t’i fitojë sërish Rama, e as Berisha me shpurën e demokratëve. E kush bën, as dreqi s’e di, sepse ata të protestës deri më tani veten nuk e shohin si parti politike, sepse s’i besojnë asnjë politike! Po cilët atëherë do ta bëjnë qeverinë teknike?! Kush do t’i shpallë zgjedhjet?
2.Lëvizja e profilit “dijmë çka s’duam, s’dijmë çka duam” nuk është dukuri e re. Është parë kjo te Occupy Movement në SHBA (2010–2011), te protestat e xhaketave të verdha në Francë (2018), si dhe te lëvizja studentore në Serbi (2006–2024), ku mobilizimet për protesta kanë qenë masive, kërkesat radikale, mëtohej ndryshimi i regjimeve dhe sistemeve, por mbeteshin në nivele të spontanitetit dhe revoltave dhe apeleve të përgjithësuara (te Occupy parulla kryesore kundër Wall Street, qendrës financiare të botës ishte “Ne jemi 99%!”), por që ishte një apel amorf, pa fuqi goditëse, pa strumbullar qendror organizativ që shqyrton dhe realizon mënyrat e rrëzimit dhe të marrjes së pushtetit, çfarë ka ndodhur në revolucionet klasike. Karshi strukturave të organizuara të shtetit me organe të rendit, shërbimet sekrete, policinë dhe armatën, strukturat partiake, njësitë e paguara dhe vullnetarët pro-establishment, mediat e mëdha shtetërore, lëvizjet si Occupy protestonin, bllokonin bankat dhe sheshet e mëdha, marshonin rrugëve me javë dhe muaj të tërë, por pa ndonjë sukses të dukshëm.
Edhe protestat filluan me këtë kornizë, masive, të përditshme, paqësore në performim dhe radikale në kërkesa, por edhe me refuzimin që të strukturohen qartë si organizatë ose parti politike.
3. Megjithatë, pas tri javësh, më 22 qershor, në protestë është lexuar nga Dritan Goxhaj kumtesa e Grupit Koordinues të protestës që përmban 5 kërkesa të konkretizuara: 1. Dorëheqja e pakusht e kryeministrit Rama; 2. Krijimi i qeverisë teknike me mandat njëvjeçar; 3. Kontrata e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit për ndryshimet e Kushtetutës; 4. Organizimi i zgjedhjeve të reja pas një viti; 5. Anulimi i ligjit për zonat e mbrojtura.
Nëse ekziston një këshillë i tillë koordinues (më herët nuk përmendej), kërkesat janë shenja se protestat po rrëshqasin drejt projektit revolucionar për përmbysjen e regjimit të Ramës dhe ndërtimin e një sistemi të ri. Deri më sot qeveria aktuale, e cila ka mandatin deri në vitin 2029, nuk ka ndërmarrë masa të dhunshme ndaj protestuesve. Nëse në protestë mbështetet ky lloj i delegjitimimit i një pushteti dhe i institucioneve të zgjedhura me vota, kjo do të çojë në një fazë konfrontuese, ku nuk duhet pritur se institucionet e shtetit do të dorëzohen lehtë, dhe nuk është e sigurt as që protestat për mbrojtjen e Zvërnecit kanë filluar me këtë qëllim. Më parë është indikacion se në protesta janë infiltruar “revolucionarët” që kanë qëllime të dyshimta për destabilizimin e Shqipërisë në një fazë të ndjeshme kur ajo është afër përfundimit të negociatave për anëtarësimin e përshpejtuar në BE.
4.Çështja e Zvërnecit padyshim e hapi dhe e shtroi qartë një problem thelbësor të fazës së ardhshme të zhvillimit të Shqipërisë, ku ndërlidhen ngushtë interesat politike me ato ekonomike, që s’mund të ndahen. Zvërneci doli si simptom për shumë gjëra; nuk janë vetëm zhvillime ekonomike, por edhe strategji politike, aleanca që prekin edhe sovranitetin e një vendi.
Për lidhjen fatale mes politikës dhe ekonomisë kemi një shembull të freskët, marrëveshjen e paqes mes SHBA-ve dhe Iranit. Ajo na jep një pikëvështrim që lidhet edhe me krizën e Zvërnecit, ta quajmë ashtu. Shpesh s’dihet, ose nuk përllogaritet paraprakisht, a është më mirë që krizave të mëdha që shkaktojnë luftëra t’u gjenden jo politikat agresive (lufta), por mjete diplomatike dhe ekonomike (blerja e paqes me dollarë). Javën e kaluar e mësuam nga shteti superfuqi, SHBA-të, se luftën me Iranin, që e kishte filluar disa muaj më parë, papritur e ndërpreu duke e “blerë paqen” me një çmim prej mbi 300 miliardë dollarësh, nominalisht të dedikuar për riparimin e dëmeve që Irani pati në luftë. Për këtë pazar politiko-ekonomik presidenti Trump ka deklaruar se është “fake news”, por vendet e Gjirit Persik dhe edhe zëvendëspresidenti J.D. Vance e konfirmuan se Irani do të paguhet përafërsisht aq miliardë për të hequr dorë nga programi i prodhimit të armëve bërthamore, që edhe ishte qëllimi kryesor i luftës.
5.Ky është mbase shembulli më ilustrativ i gërshetimit të interesave politiko-ekonomike në nivel global, si taktikë transaksionale e politikave të presidentit Trump, që ia dha këtij shkrimi në nëntitull paksa të çuditshëm: Hormuz–Zvërnec–Trepça. Çfarë lidhje kanë Zvërneci dhe Trepça me ngushticën e detit Persik?
Për Zvërnecin edhe mund të ofrohet një element përbashkues, sepse bregdetin e Shqipërisë jugore me perla të mbrojtura natyrore, Zvërnecin dhe Sazanin, e kanë pasur viteve të fundit bilionerët nga SHBA-të që kanë lidhje të forta biznesore me bilionerët nga shtetet e Gjirit Persik, aleatë të SHBA-ve, dhe supozohet se janë edhe sponsorë të marrëveshjes paqësore me Iranin, sikundër që besohet se bëjnë pjesë në konsorciumin e interesuar që në resortin në Zvërnec të investojnë 4 miliardë dollarë, si ortakë të Ivanka Trump dhe Jared Kushner, familjarë të presidentit Trump, që nominalisht janë përfshirë në blerjen e tokës dhe ndërtimin e resortit luksoz turistik, gjë që shqetësoi një pjesë të opinionit në Shqipëri dhe më gjerë në rajon. Në Shqipëri u ngrit alarmi për shitje të tokës sovrane!
6.Më duket se është mirë që u hap kjo çështje e sovranitetit, sepse ajo është një nyje nervale e keqkuptimeve dhe iluzioneve mbizotëruese në botën shqiptare se çka është sovraniteti shtetëror, politik dhe ekonomik i Shqipërisë dhe Kosovës, si dy shtete të vogla nominalisht sovrane, por që politikisht dhe ekonomikisht kanë varësi të shumta kufizuese të sovranitetit.
Në rendin aktual botëror, shumëfish të trazuar, nuk ekziston më sovraniteti i pastër si kategori në vete. E kam një analogji që e shpjegon keqkuptimin. Të gjithë pak a shumë e dimë se ari është njësia kryesore matëse e vlerave në tregti dhe sistemin financiar, kurse vlera e vetë arit matet me karat; ari i pastër, pa asnjë shtesë tjetër metali, i ka 24 karat. Mirëpo, ari i pastër nuk është gjithaq i përdorshëm, është tepër i butë dhe i lakueshëm, prandaj përzihet me metale të tjera që e forcojnë, dhe si i përzier ka më shumë vlerë ari 14-karatësh.
Ky dallim mes arit të “pastër” 24-karatësh dhe arit të “papastër” 14-karatësh na jep shembullin që ta kuptojmë dallimin mes sovranitetit të plotë dhe jo të plotë (të papastër), por që është më funksional dhe më i fortë se sovraniteti i plotë. Një sovranitet i pastër i shteteve të vogla si Shqipëria dhe Kosova do të mbetej i butë dhe i lakueshëm si ari 24-karatësh, kurse shtetet tona të lidhura me aleanca shtetërore dhe ushtarake me vendet perëndimore, SHBA-në dhe BE-në, ushtarakisht me NATO-në, e kanë funksionin e bërjes së sovranitetit të fortë 14-karatësh për shtetet tona, sepse me këto aleanca marrim forcën dhe sovranitetin optimal për mbijetesë.
7.Edhe sovraniteti ekonomik vështirë se mund të paramendohet si 24-karatësh, siç ka qenë p.sh. Shqipëria e Enver Hoxhës, e mbështetur në forcat e veta pasi që ndërpreu aleancat komuniste me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën, për t’u bunkerizuar në vete cep më cep, dhe si e tillë përjetoi kolaps të plotë në vitin 1990, kur u shkërmoq komplet sistemi dhe ekonomia dhe populli ra në varfëri të skajshme.
Në nëntitullin e këtij shkrimi me Hormuzin, unë e lidha edhe Zvërnecin dhe Trepçën, sepse këto resurse të mëdha që i kemi si shtete sovrane Shqipëria dhe Kosova nuk mund të kapitalizohen, siç kanë iluzione shumë veta, vetëm me forcat dhe mjetet tona, pa llogaritur në proceset globale dhe kapitalet investuese të mëdha që mund t’i bëjnë ekonomitë e Shqipërisë dhe Kosovës më të zhvilluara. Kujdes nga sovranistët e dalldisur të pushteteve të vjetra dhe të pushtetit aktual, që as linjitin e Kosovës nuk kanë ditur ta kapitalizojnë, dhe edhe rreth Trepçës sillen si rojtarë që i ruajnë nën tokë mineralet për kohën kur Kosova do të ketë bilionët e veta të pasurisë, pa e pasur haberin se si do të pasurohet ky vend ku shumica e popullsisë po mbahet me remitencat e diasporës dhe asistencat sociale nga buxheti mjeran i shtetit.
8.Kur shikohet periudha gati dyzetvjeçare e Shqipërisë nga rrënja e komunizmit deri më sot, s’mund të mohohet se vendi ka përjetuar transformim të madh, ku Sali Berisha ka qenë motor i zhvillimeve në dekadën e parë, kurse në dekadën e dytë këtë rol e kanë marrë Fatos Nano dhe Edi Rama. Sali Berisha i dha shtytjet e para, por me një ideologji hibride të elementeve të sistemit të trashëguar sovjetiko-kinez, me një orientim djathtist që e kuptonte se Shqipëria duhet të marrë rrugën drejt Perëndimit dhe NATO-s, dhe kjo u arrit, mirëpo demokracia ishte një nocion dhe praktikë vështirë e kapshme për të.
9. Në Shqipëri mbizotëron bindja se boshti i problemeve të vendit ka qenë ashpërsia e konfrontimit midis dy blloqeve ideologjike, PS-së të majtë, që doli nga PPSH-ja e transformuar, nga njëra anë, dhe PD-së së djathtë e udhëhequr nga dita e parë e deri më sot nga Sali Berisha, nga ana tjetër. Në kohën kur Shqipëria politikisht shkundej nga rivaliteti i PS-së dhe PD-së, i personalizuar si rivalitet i Berishës dhe Nanos, unë e kam thënë se kapitalizmin në Shqipëri e inauguroi së pari socialisti Nano, pasi që Berisha as që u kujtua ta bëjë këtë. Për më shumë, e djathta e Sali Berishës, edhe kur në vitin 2005 u kthye në pushtet, mbeti pushtet i tipit të vjetër, “dal mode”, me ligjërime dhe apele epike, patriarkale dhe folklorike thuajse paramodern, ku mbizotëronte informaliteti mbi rregullativën e shtetit, ndërkaq Rama, që e mori timonin e PS-së nga Nano, me punët që i bëri si kryebashkiak i Tiranës (2000–2011), që nga ngjyrosja e rrugës së Durrësit dhe qendrës së Tiranës me ngjyra të gjalla mesdhetare dhe çrrënjosjen e informalitetit që e ngulfaste Tiranën, jo vetëm e ngjalli shpresën se një Shqipëri moderne mund të bëhet, por edhe e realizoi atë me një “autokratizëm” të domosdoshëm për rrethanat, por të ndritur dhe vizionar, sepse nuk ka qenë e mundur të bëhet ndryshe, nuk do të kishte sukses. Ramës i është dashur ta transformojë edhe Partinë Socialiste ku aderoi, edhe Shqipërinë e kohës së tranzicionit të hershëm me probleme dhe ashpërsinë e karaktereve kokëfortë të popullatës.
10.Mund t’i gjeni mijëra të meta dhe prapështi regjimit të Ramës, por transformimet e mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë regjimit të tij janë kolosale, s’mund t’i shpërfillin as ata që nuk i pëlqejnë, por që s’kanë pasur as ide e as takat që t’i bëjnë gjërat ndryshe, dhe vlerë është që ato janë bërë fare, dhe pasi që janë bërë mund të kritikohen se kanë mundur të bëhen më ndryshe.
11.Ka shumë procese të ndërmjetme që janë bërë shkas për protestat e Zvërnecit. Ato janë legjitime. Kanë mundur shumë gjëra të bëhen më mirë, më shpejt, me dobi të përgjithshme. Ta marrim për shembull paligjshmërinë dhe kriminalitetin, protestat aktuale nuk i atribuojnë ato vetëm Ramës, por edhe regjimit paraprak, por sikur e harrojnë një betejë të madhe që është bërë dhjetë vjet më parë për krijimin e SPAK-ut, që të ketë një prokurori të pavarur e cila i ndjek krimet e rënda në shoqëri dhe qeverisje. SPAK-u i ka hetuar dhe i ka dorëzuar drejtësisë shumë ministra dhe zyrtarë të lartë që e kanë keqpërdorur pushtetin për interesa private, qoftë të opozitës, qoftë të pushtetit, dhe nuk i ka kursyer as bashkëpunëtorët e ngushtë të Ramës.
12.Rama e tha para disa ditësh se do të dorëhiqet vetë nga pushteti ditën që Shqipëria bëhet anëtare e BE-së, sepse ky ka qenë misioni i tij në këto katër mandate që i ka fituar bindshëm në zgjedhjet paraprake. Mendoj se protesta e Zvërnecit është në rrezik që të bëhet jo gropë e Ramës, por gropë e Shqipërisë në një rrugëtim që e ka trasuar Edi Rama, me gjithë bagazhin e gabimeve që i ka bërë ose që i mvishen padrejtësisht.
Lëreni që SPAK-u të hetojë aferat që po i heton, Rama nuk mund t’i ikë përgjegjësive për të pabërat e tenderave nëse ka qenë i involvuar me ministrat, por mos ia bëni gropën që do të mund të pengojë avancimin e Shqipërisë në BE. Rama e ka fuqinë dhe ndikimin që ta bëjë këtë në kancelaritë evropiane; nëse ia bëni gropën, do të jetë shërbim atyre që me agjenci të ndryshme duan ta pengojnë këtë proces.
Dhe ky proces e çon Shqipërinë në një fazë tjetër, atë që mbase e gjakojnë protestuesit e Zvërnecit, ajo fryma burimore e saj, që besoj se edhe pragmatikisht më lehtë realizohet në kuadër të rregullativave të BE-së, dhe jo që protesta të bëhet instrument për realizimin e një ndërmarrjeje potencialisht të dhunshme të kapjes revolucionare të pushtetit, çka do të ishte epilog i kënaqshëm vetëm për ata që nuk i duan të mirën Shqipërisë.













