Për shkak të krizës së naftës si pasojë e luftës së ShBA-së dhe Izraelit me Iranin, çmimi i derivateve të naftës ishte ngritur në gjithë botën, ku në Kosovë ishin vërejtur tendenca të abuzimit me çmime nga kompanitë që merren me shitjen me shumicë dhe pakicë të këtyre derivateve, raporton Veriu.info
Për ta mbajtur situatën nën kontroll dhe për t’i mbrojtur konsumatorët, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, duke u mbështetur në Ligjin për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme, kishte vendosur që në baza ditore të caktojë çmimin maksimal të shitjes së derivateve të naftës.
Mirëpo, disa kompani nuk kishin zbatuar vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, pasi që naftën e kishin shitur me çmime më të larta, duke shkelur ligjin dhe dëmtuar konsumatorët. Njëra prej tyre madje e ka moton “fito për çdo litër”, por realiteti, sipas inspektoratit, po del që ka abuzuar me çmime për litër.
Veriu.info ka siguruar dokumente të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, me të cilat dëshmohet se si kompania “Fitorja” Sh.P.K. e biznesmenit Tahir Maloku ka abuzuar me çmime në kohë krize, duke shkelur Ligjin për Tregtinë me Produkte të Naftës.
Për shkak të abuzimit me çmime, përkatësisht shitjes së produkteve të naftës me çmim më të lartë se ai i përcaktuar me vendim të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut më 23 prill 2026 ka bërë kërkesë për fillim të procedurës kundërvajtëse ndaj “Fitorja” Sh.P.K. në Gjykatën Themelore në Ferizaj.


Veriu.info ka siguruar procesverbalin e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut të bërë me rastin e inspektimit në kompaninë “Fitorja” Sh.P.K. më 3 prill 2026, ku ishte konstatuar se kjo kompani ka tejkaluar marzhën tregtare maksimale të lejuar për shitje të derivateve të naftës.
Sipas inspektoratit të tregut, ky veprim ishte në kundërshtim me nenin 15 te Ligjit nr.08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme, i sanksionuar me nenin 19 paragrafi 13 të po të njëjtit ligj dhe në nenin 26 të Ligjit nr. 06/034 për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe ndëshkohet me nenin 137 të po të njëjtit ligj.


Sanksionet e nenit 19, paragrafi 13
Për shkelje të vendimit për marzhën e fitimit maksimal, në kërkesë thuhet se sanksioni është paraparë me nenin 19, paragrafi 13 i Ligjit nr.08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme.
Sipas paragrafit 13, dënimi maksimal për persona juridikë është i paraparë në shumën prej 6 mijë euro.
“Kushdo që, në kundërshtim me nenin 15 të këtij ligji, nuk respekton kufizimin e çmimit të produktit të naftës ose karburantit të ripërtëritshëm dënohet me gjobë prej dy mijë (2.000) deri në gjashtë mijë (6.000) euro, si person juridik”, thuhet në paragrafit 13 të nenit 19 të Ligjit nr.08/L-018.

Pse një kompani me dhjetëra njësi nëpër gjithë Kosovën të mos e shkelë këtë ligj, kur gjoba maksimale është paraparë 6 mijë? Përgjigje këtu mund të japin vetëm ligjvënësit dhe inspektorët e IQMT-së!
Kush është “Fitorja” Sh.P.K.?
“Fitorja” Sh.P.K. është kompani e themeluar në vitin 2007 në Ferizaj nga Tahir Maloku, ndërsa menaxher i saj është djali i tij, Naser Maloku.
Aktiviteti kryesor i kësaj kompanie është prodhimi i produkteve prej betonit për qëllime ndërtimi, ndërsa si aktivitet sekondar (dytësor) ka të regjistruar testimin teknik dhe analizat.



Sikur thuajse asnjë biznes tjetër, “Fitorja” Sh.P.K. ka te regjistruar 93 aktivitete biznesore në ARBK, përfshirë aktivitete të kontabilitetit, juridike, minerale e të naftës.
Emri i kompanisë “Fitorja” Sh.P.K. është i njohur për publikun, për shkak të lajmeve për skandale që lidhen me të dhe menaxherin e saj, Naser Malokun, që ishte aksionar i kompanisë që fitoi tenderin për fabrikën e mbetjeve nënshtazore, duke aplikuar në tender me një ortak serb.
Afera me fabrikën e mbetjeve shtazore/ Bastiset kompania e biznesmenit multimilioner nga Ferizaj
Lidhja e Naser Malokut me zyrtarin që vendosi për tenderin milionësh të Ministrisë së Pecit
Kontrata për mbetjet e kafshëve, vëllai i Besnik Bislimit punonte për kompaninë e familjes Maloku













