Enzo Maresca ka zbuluar një rregull të pazakontë që mund ta pengojë Erling Haalandin të bëhet kapiteni i ri i Manchester Cityt.
Maresca ka zëvendësuar Pep Guardiolën në stolin e Cityt, duke marrë drejtimin e skuadrës pas një dekade të suksesshme të trajnerit katalanas në “Etihad”.
Ish-trajneri i Chelseat, i cili më parë ka punuar në dy role të ndryshme te Manchester City, ka nisur të vendosë idetë e tij në skuadër gjatë turneut parasezonal në Azi.
Një nga vendimet e para të rëndësishme që duhet të marrë është zgjedhja e kapitenit të ri, pas largimit të Bernardo Silvës drejt Real Madridit.
Gjatë epokës së Guardiolës, Manchester City zakonisht kishte një grup liderësh të zgjedhur nga vetë lojtarët, të cilët më pas vendosnin edhe për kapitenin.
Megjithatë, në sezonin e fundit, Guardiola zgjodhi personalisht Bernardo Silvën si kapiten, pasi eksperimenti me Kyle Ëalker nuk kishte funksionuar siç pritej.
Aktualisht, Ruben Dias, Erling Haaland dhe Rodri, i cili lidhet fuqishëm me një transferim te Barcelona, përbëjnë grupin e liderëve të Manchester Cityt.
Por Maresca ka një rregull të veçantë që mund ta komplikojë situatën nëse Haaland zgjidhet kapiten.
Duke folur me gazetarët e Manchester Cityt në Seul, italiani shpjegoi se gjatë periudhave të tij te Leicester City dhe Chelsea kishte vendosur një rregull që kapiteni duhej të shkonte te bankina sa herë që skuadra shënonte, në mënyrë që të merrte udhëzime nga trajneri.
“Te Leicester dhe Chelsea kisha një rregull që, kur shënonim, kapiteni duhej të vinte te bankina për të marrë udhëzime”, shpjegoi Maresca, sipas Sam Lee të The Athletic.
“Por nëse kapiteni shënon, atëherë ai mund të festojë. Nëse Erlingu është kapiten, dreqin, kemi një problem. A mund ta imagjinoni?”.
“Nëse e keni parë ndeshjen këtu të mërkurën, Rubeni erdhi te bankina. Mendoj se edhe nëse kanë kaluar vetëm dy ose tre minuta, gjithmonë ka diçka për të rregulluar”, përfundoi ai.














