Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka dalë në mbrojtje të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, i cili po përballet me presion të madh.
Infantino është kritikuar ashpër gjatë javëve të fundit për rolin e tij në një përpjekje për të shitur aksione në turnetë e FIFA-s te investitorë privatë përmes FIFA Forward Enterprise (FFE).
Pavarësisht se plani është tërhequr më vonë dhe Infantino ka kërkuar publikisht falje, UEFA dhe një numër i federatave anëtare kanë kërkuar rishikimin e drejtimit të organizatës, ndërsa zgjedhjet e ardhshme për presidentin e FIFA-s do të zhvillohen në mars të vitit 2027.
Edhe Federata Angleze e Futbollit ka tërhequr mbështetjen e saj për Infantinon, ndërsa një bojkot i mundshëm nga UEFA vazhdon të mbetet në tryezë.
FIFA e ka mbrojtur tashmë presidentin e saj, duke pretenduar se ekziston një “përpjekje e koordinuar dhe e vazhdueshme” për të dëmtuar organizatën dhe Infantinon.
“Presidenti i FIFA-s u zgjodh në mënyrë demokratike nga federatat anëtare të FIFA-s dhe vazhdon të shërbejë me mandatin e tyre”, deklaroi FIFA të shtunën, më 8 gusht.
“Po bëhet gjithnjë e më e qartë se ekziston një përpjekje e koordinuar dhe e vazhdueshme nga disa persona për të dëmtuar FIFA-n dhe presidentin e saj. Ata që nuk kanë mbështetjen e federatave anëtare të FIFA-s nuk duhet të përpiqen të arrijnë përmes akuzave, insinuatave apo dezinformatave atë që nuk mund ta arrijnë përmes proceseve demokratike të përcaktuara nga FIFA”, thuhet tutje.
Edhe Federata Meksikane e Futbollit e ka mbrojtur Infantinon, duke shprehur mbështetjen për presidencën e tij. Në krah të tij është pozicionuar edhe Conmebol, organi drejtues i futbollit në Amerikën e Jugut, duke deklaruar se do të kundërshtonte çdo përpjekje për largimin e Infantino-s pa një votim demokratik nga të 211 vendet anëtare.
Ndërkohë, më 10 gusht, Infantino u akuzua se kishte thyer besimin “përmes mashtrimit”, në një letër të hapur të publikuar nga UEFA, Concacaf dhe Federata Aziatike e Futbollit.
Në një pjesë të letrës thuhej: “Udhëheqja në futboll nuk është pronë. Nuk ka të bëjë me mbajtjen – apo kërkimin – e pushtetit për ta mbajtur atë. Është një detyrë shërbimi ndaj familjes së futbollit që ia beson këtë përgjegjësi. Kur besimi thyhet përmes mashtrimit, kur një individ e vendos veten mbi kolektivin që i ka besuar autoritetin, kjo detyrë është braktisur. Letra e fundit e FIFA-s drejtuar zëvendëspresidentëve dhe 211 federatave anëtare pranon se janë bërë gabime gjatë procesit. Ajo e trajton këtë si një dështim në komunikim, ndërsa ajo që futbolli dëshmoi ishte një dështim në gjykim. Një propozim i avancuar brenda një afati të shkurtër, pa konsultime domethënëse dhe i shtyrë drejt një afati përfundimtar përpara se federatat anëtare të kishin mundësi të shqyrtonin siç duhet kushtet e tij, nuk është rezultat i një pakujdesie – është rezultat i një procesi të projektuar për të kufizuar shqyrtimin. Ai nuk pranoi se vetë propozimi ishte thelbësisht i gabuar. Ende nuk ka asnjë njohje se përpjekja për të shitur një interes në Kupën e Botës të FIFA-s ishte një dështim i thellë në gjykim – jo thjesht një gabim procedural, por një shkelje themelore e besimit ndaj vetë institucioneve të cilave FIFA ekziston për t’u shërbyer. FIFA gjithashtu është zotuar të paraqesë një raport të plotë mbi këto ngjarje në Këshillin e FIFA-s, duke dështuar sërish të pranojë se qeverisja e duhur përballë një dështimi kaq të madh në gjykim do të kërkonte që ky shqyrtim të kryhej nga një palë e tretë plotësisht e pavarur, dhe jo nga vetë FIFA, stafi i saj apo ndonjë palë tjetër e përfshirë në futboll. Administrata e FIFA-s nuk duhet të ketë asnjë rol në kryerjen e këtij shqyrtimi”.
Pavarësisht presionit të vazhdueshëm, Infantino vazhdon të ketë mbështetjen e disa prej organizmave kryesorë të futbollit në botë.
Duket se zvicerano-italiani ka edhe mbështetjen e presidentit Trump, i cili të martën, më 11 gusht, përdori rrjetet sociale për ta mbrojtur atë.
“FIFA do të bënte një gabim të tmerrshëm nëse, për çfarëdo arsyeje, do të mendonte ta zëvendësonte presidentin Gianni Infantino”, shkroi Trump.
“Ai është fantastik, pasi sapo ka drejtuar Kupën e Botës më të suksesshme, katër herë më të suksesshmen, që është organizuar ndonjëherë.
“Nëse ai largohet, nuk do të jetë kurrë më kaq e suksesshme apo fitimprurëse!”
Trump dhe Infantino kanë një marrëdhënie të afërt dhe kanë bashkëpunuar për organizimin dhe zhvillimin e Kupës së Botës 2026.











