Daut Haradinaj, nga Aleanca ka reaguar pas nënshkrimit të kontratës për furnizimin e Maqedonisë së Veriut me qymyr nga Kosova.
Haradinaj ka thënë se për këtë çështje kishte paralajmëruar edhe më herët, duke e konsideruar kontratën si një veprim të dëmshëm për pasurinë e Kosovës.
“Sot u nënshkrua kontrata me Maqedoninë e Veriut për furnizimin e këtij të fundit me qymyr nga Kosova. Pra, para 2 muajsh kam paralajmëruar për këtë krim të ri që po ndodh me pasurinë e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka ngritur pikëpyetje edhe për marrëdhëniet energjetike mes dy vendeve, duke theksuar se Kosova, sipas tij, shpenzon shuma të mëdha për importin e energjisë elektrike, ndërsa në të njëjtën kohë eksporton qymyr në një shtet nga i cili blen energji.
“Ne blejmë rrymë mbi 1 miliard euro dhe i shesim qymyr njërit nga shtetet prej të cilit blejmë rrymë”, ka deklaruar ai.
Haradinaj ka kërkuar që Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ta bëjë publike kontratën e nënshkruar, përfshirë vlerën e shitjes së qymyrit.
Po ashtu, ai ka kërkuar transparencë lidhur me shumën që Kosova paguan për energjinë elektrike të importuar nga Maqedonia e Veriut.
“KEK-u ta publikojë kontratën e vlerës së shitjes. Po ashtu, të publikohet vlera se sa ia blejmë rrymën Maqedonisë së Veriut, nga xhepi i qytetarëve”, ka shkruar Haradinaj.
Në fund, ai ka kërkuar që çështja të mos mbetet pa vëmendje institucionale, duke thënë se “kjo nuk duhet të kalojë në heshtje”.













