Një koment i thjeshtë në Kuvendin e Kosovës, në ditën e përplasjes së deputetëve të PDK-së me ata të Vetëvendosjes, nxënëses së re nga Obiliqi, Olsa Sadiku, i kushtoi me përjashtim nga rrjeti rinor i Kosovës, i njohur si Kuvendi i të Rinjve.
“Po de që dy vjet s’kemi qeveri, pse me e lanë?” — kjo ishte fjalia që asaj i kushtoi me përjashtim, pasi nga mediat ishte bërë publike si raportim i debatit në sallë mes Vlora Çitakut dhe Albulena Haxhiut.
Për përjashtimin e saj ka njoftuar vetë Olsa Sadiku në llogarinë e saj në rrjete sociale, ku ka thënë se pjesëmarrja rinore nuk duhet të kushtëzohet me heshtje.
Ky është statusi i plotë i të rejes Olsa Sadiku:
“Po de që dy vjet s’kemi qeveri, pse me e lanë?” — kjo ishte fjalia që më kushtoi.
Më 12 gusht, në Ditën e Rinisë, isha e ftuar nga Kryetarja e Kuvendit të të Rinjve të Kosovës për të marrë pjesë si njëra nga përfaqësueset e të rinjve nga Obiliqi. Edhe pse në Obiliq ende nuk ekziston Kuvendi i të Rinjve, prej më herët kisha qenë në komunikim për mundësinë e themelimit të tij.
Shkuam në Kuvendin e Kosovës, morëm pjesë në aktivitetet e parapara, biseduam me përfaqësuesit dhe na u shpjeguan rregullat, mënyra e funksionimit dhe hapat që nevojiten për themelimin e një Kuvendi të të Rinjve. Aktivitetet përfunduan dhe na thanë të prisnim edhe pak.
Më pas, në sallë hyri Partia Demokratike e Kosovës, e cila kishte thirrur seancë. Ne ishim ende aty si pjesëmarrës të aktivitetit rinor, ndërsa në sallë filloi një zhvillim politik dhe përplasjet mes deputetëve.
Në atë moment, shpreha spontanisht një mendim timin. Një mendim i një të reje që dëshiron që institucionet të funksionojnë dhe që beson se vendi nuk duhet të mbetet pa institucione funksionale.
Nuk fola në emër të PDK-së, të VV-së, të LDK-së apo të asnjë subjekti tjetër. Nuk jam pjesë e asnjë partie dhe nuk përfaqësoj asnjë subjekt politik. Isha aty si përfaqësuese e të rinjve nga Obiliqi.
Videoja e atij momenti u bë virale.
Por ajo fjali më kushtoi me ndërprerjen e bashkëpunimit me Kuvendin e të Rinjve të Kosovës, pjesëmarrjen time në aktivitetet e KRK-së dhe përfshirjen time në procesin e formimit të Kuvendit të të Rinjve në Obiliq.
Dhe pikërisht këtu fillon pyetja ime.
Nëse ne të rinjtë ishim aty në një aktivitet rinor dhe u gjendëm në mes të një situate të krijuar nga një zhvillim politik brenda Kuvendit, a nuk shtrohet edhe pyetja nëse u përdorëm edhe ne në një mënyrë politike?
Dhe nëse një mendim personal i shprehur në atë moment mjaftoi që të ndërpritej bashkëpunimi me mua për organizimin e të rinjve në Obiliq, atëherë:
Ku qëndron kufiri mes apolitizmit institucional dhe të drejtës së një të riu për të pasur zë e mendim të vetin?
Ajo që më shqetëson nuk është thjesht vendimi ndaj meje. Më shqetëson parimi që qëndron pas tij.
Në vetë vendimin thuhet se ai nuk përbën masë disiplinore dhe nuk bazohet në pretendimin se kam shkelur ndonjë dispozitë statutore apo rregullative. Megjithatë, një deklaratë e bërë në një situatë politike është përdorur si arsye për të ndërprerë përfshirjen time në një proces rinor.
Prandaj kam disa pyetje të thjeshta:
A duhet një e re të heshtë për të qenë e pranueshme në një strukturë rinore?
A është shprehja e një mendimi personal e mjaftueshme për t’i mohuar një të riu të drejtën për të kontribuar në organizimin e rinisë në komunën e tij?
Dhe mbi të gjitha:
Nëse kërkohet që strukturat rinore të jenë apolitike, a duhet kjo të nënkuptojë që të rinjtë të mos kenë fare mendime politike?
Unë besoj fuqishëm se apolitizmi i një organizate nuk duhet të nënkuptojë heshtjen politike të individit. Mund të mos përfaqësosh asnjë parti dhe prapë të kesh mendim, qëndrim dhe zë.
Nuk po e bëj këtë postim për të sulmuar askënd dhe as për t’u rreshtuar me ndonjë subjekt politik. Po e bëj sepse besoj se të rinjtë duhet të kenë hapësirë të flasin, të pyesin, të kritikojnë dhe të marrin pjesë në jetën publike pa u etiketuar automatikisht si përfaqësues të një partie.
Unë do të vazhdoj të flas dhe të angazhohem për rininë e Obiliqit, pavarësisht këtij vendimi.
Sepse pjesëmarrja rinore nuk duhet të kushtëzohet me heshtje.












