Një mosmarrëveshje krejt e zakonshme për parkimin e një veture në Banjë të Malishevës dyshohet se ka marrë një kthesë serioze, pasi njëri prej personave të përfshirë raportohet se ka kanosur tjetrin me armë.
Por ndërhyrja e Policisë ka nxjerrë në pah edhe më shumë se kaq.
Sinjali mëson se i dyshuari në këtë rast është Faik Telaku, 70 vjeçar, ndërsa viktima B. Samadraxha, 47 vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e 22 gushtit, para lokalit të viktimës në fshatin Banjë të Malishevës.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, mes dy burrave fillimisht ka shpërthyer një zënkë për parkimin e automjetit.
Situata më pas dyshohet se ka eskaluar, kur Telaku e ka kanosur Samadraxhën me armë zjarri.
Rasti është denoncuar menjëherë në Polici dhe patrulla ka nisur veprimet për identifikimin e personit dhe automjetit të përfshirë.
Rreth orës 16:50, policët i kanë rënë në gjurmë veturës.
Gjatë kontrollit të automjetit është gjetur një revole me gaz, e cila është sekuestruar.
Por kontrolli ka sjellë edhe një telash tjetër për të dyshuarin.
Policia ka konstatuar keqpërdorim të targave të automjetit, duke vendosur që, përveç armës, të konfiskohet edhe vetura.
Telaku është shoqëruar në Stacionin Policor në Malishevë, ndërsa për rastin është konsultuar Prokurori i Shtetit.
Me urdhër të Prokurorit janë iniciuar rastet për “Kanosje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa i dyshuari do të procedohet në procedurë të rregullt.
Nga një zënkë për parking, rasti përfundoi me armë të sekuestruar, veturë të konfiskuar dhe dy vepra penale nën hetim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.












