Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca kanë kërkuar sërish që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të vijë në Kuvend dhe të mundësojë konstituimin e institucioneve të reja, në kuadër të protestës që PDK-ja po zhvillon para objektit të Qeverisë, raporton Ekonomia Online.
Deputetët opozitarë kanë thënë se Kosova nuk ka më kohë për të humbur, ndërsa kanë akuzuar Kurtin se po shmanget nga përgjegjësia për zhbllokimin e institucioneve.
Ndërkaq, asamblisti i PDK-së nga Komuna e Shtimes, Demokrat Mujota, tha se institucionet e Kosovës janë ndërtuar përmes sakrificës së qytetarëve dhe se, sipas tij, ato nuk duhet të bllokohen.
“Me i tregu Albin Kurtit që nuk e ka mirë, nuk e ka pasë mirë, nuk e ka mirë edhe nuk është tu shku puna mirë, për atë çka kemi qenë, jemi edhe për atë ku mendojmë të shkojmë nesër. Albini duhet me e ditë që ky popull ka sakrifiku shumë. Ky popull ka dhënë gjak shumë. Ky popull ka dhënë shumë jetë, për me pasë pavarësi, për me pasë liri, për me pasë drejta, për me pasë shtet, për me pasë institucione, me pasë rend, ligj, drejtë. Nuk bëhet hajgarë me institucionet e vendit që kemi ndërtuar me shumë gjak, me shumë mund edhe me shumë sakrificë. Albin, nuk kemi gjak për me shkelë, as nuk kemi Republikë për me humbë. Duhet me ditë ti edhe komplet soji yt”, tha ai.














