Përveç mbesës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, edhe vajza e axhës së Luan Dalipit, ish-shefit të kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, është emëruar diplomate. Kaltrina Dalipi dërgohet Sekretare e Dytë në Ambasadën e Kosovës në Berlin.
Luan Dalipi, krahu i djathtë i Kurtit prej vitesh, aktualisht mban pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë për Investime dhe Eksport.
Gazeta Nacionale ka siguruar vendimin zyrtar të nënshkruar nga Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, për emërimin e saj direkt në shërbimin diplomatik.
SI NISI GJITHÇKA?
“S’ka dasma nëpër ministri”, thoshte Kurti: Nipat e mbesat e pushtetit të VV-së po sistemohen në institucione
Sipas këtij dokumenti, Kaltrina Dalipi është caktuar të shërbejë me gradën funksionale Sekretare e Dytë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, për një mandat të plotë katërvjeçar.
Në aktvendim përcaktohet se ajo ka filluar realizimin e obligimeve në Berlin më 3 gusht 2026.

Por prapa këtij vendimi fshihet një tjetër shkelje flagrante. Nacionale ka mësuar se Kaltrina Dalipi është emëruar në këtë mision diplomatik pa poseduar paraprakisht asnjë gradë diplomatike të fituar me ligj.
Ajo nuk i është nënshtruar procedurave meritore përmes Komisionit të Gradave, por është dërguar drejtpërdrejt nga zyrat e prokurimit në rangun e diplomates së shtetit në një nga kryeqytetet më të rëndësishme perëndimore. Para këtij misioni, Dalipi ushtronte detyrën e Udhëheqëses së Divizionit të Prokurimit Publik në MPJD.
Ky skandal vjen menjëherë pas faktimit të djeshëm nga Nacionale, ku u zbulua se Rina Dragidella, mbesa e ministrit Xhelal Sveçla, u dërgua po ashtu Sekretare e Dytë në Uashington.
Vendimi për mbesën e Sveçlës mbante ekzaktësisht të njëjtën datë, 15 maj 2026, dhe të njëjtin nënshkrues, Glauk Konjufcën, i cili po vulos njëpasnjëshëm rehatimin e familjarëve të elitës së Vetëvendosjes.
Dragidella ishte punësuar në MPJD në nëntor 2025 dhe nuk plotësonte as kërkesën themelore ligjore prej së paku një viti përvojë pune për zyrtarët pa gradë para dërgimit jashtë vendit.
Lista e familjarëve të pushtetit po zgjerohet përditë. Vetë ministri Sveçla kishte sistemuar më herët motrën e tij, Magbule Hyseni, si zyrtare të lartë në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.
Po ashtu, së fundmi Nacionale zbuloi punësimin e Buron Ademit, nipit të deputetit të VV-së, Agim Bahtiri, i cili u rehatua si asistent i ministrit në Ministrinë e Bujqësisë.
Gjatë fushatës, Kurti pati bërë bujë me deklaratën se “Fisi është për dasmë, për gazmend privat. S’ka dasma nëpër ministria”, ndërsa sot po instalon kapjen totale të diplomacisë.
Kaltrina Dalipi ishte punësuar në prokurimin e Komunës së Prishtinës në kohën kur kryeqyteti udhëhiqej nga Lëvizja Vetëvendosje.
Me ardhjen e Lëvizjes Vetëvendosje në Qeveri, ajo është transferuar në Zyrën e Prokurimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Gjatë kohës kur MPJD-ja udhëhiqej nga Donika Gërvalla, në këtë ministri është punësuar edhe motra e Kaltrinës, Flaka Dalipi.














