Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, ka folur para mbledhjes së Kryesisë së partisë, ku pritet të diskutohen zhvillimet politike në vend, konstituimi i Kuvendit dhe çështja e presidentit, raporton Ekonomia Online.
Lushaku tha se në mbledhjen e sotme do të diskutohet edhe emri i presidentit. “Kështu që sot do të kemi me u taku edhe me diskutuar bashkë edhe emrin e presidentit, edhe zhvillimet politike, edhe konstituimin e Kuvendit e të gjitha institucioneve sa më shpejt që është e mundur. Edhe kaq”, tha ajo.
E pyetur për zërat brenda LDK-së se disa deputetë nuk do ta votojnë presidentin dhe nëse emri i propozuar paraprakisht e ka marrë dritën e gjelbër nga secili deputet i LDK-së, Lushaku tha se kryetari dhe ekipi negociues kanë pasur autorizime të plota.
“Shiko, ne kemi autorizuar kryetarin edhe ekipin për me negociuar edhe ata kanë pasur autorizime të plota për të bërë edhe propozime edhe për t’i diskutuar emrat. Tani po diskutojmë edhe në një rreth edhe më të gjerë. Kështu që është proces krejt normal. Nuk mundet me qenë, si me thënë, për aq kohë sa nuk ka dakordësi, nuk ka mundësi si diskutohen shumë emra”, u shpreh ajo.
Lushaku tha se nuk e kishte ditur paraprakisht emrin e kandidatit para se ai të bëhej publik nga grupi parlamentar. “Jo, shiko, po të them që kur ka autorizime, ka disa persona që kanë autorizimet partiake edhe diskutojnë edhe negociojnë në emër të partisë. Edhe kështu ka qenë ky zhvillimi. Domethënë është gjithmonë normale kjo që ndodh”, tha deputetja.
Sa i përket kandidatit për president, Bekim Sejdiut, Lushaku deklaroi se ai e ka votën e saj.














