Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për zbatimin e disa sanksioneve ndërkombëtare.
IndeksOnline raporton se bëhet fjalë për vendim të marrë me qëllim të linjëzimit të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) të Bashkimit Evropian.
Sanksionet në fjalë ishin vendosur në vitin 2022 ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë, në lidhje me agresionin ndaj Ukrainës.
Sanksionet e vendosura 4 vjet më parë përkojnë me ato të vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në pakon e sanksioneve përfshiheshin individë dhe subjekte që janë vlerësuar si cenues ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit.
Sanksionet kanë të bëjnë me ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës të individëve apo entiteteve të sanksionuara; ndalim të qasjes dhe operimit në tregun financiar të Kosovës, të individëve apo entiteteve të sanksionuara, ndalim i transmetimit të mediave propaganduese të Rusisë në Republikën e Kosovës, ndalim udhëtimi në territorin e Republikës së Kosovës për individët e sanksionuar, ndalim për individë dhe entitete në Republikën e Kosovës, që të vënë në dispozicion fonde, qoftë në mënyrë direkte ose indirekte, për individët dhe entitetet e sanksionuara, e kështu me radhë.














