Gjykata Themelore në Mitrovicë ka nxjerrë aktgjykim dënues ndaj një personi për kryerjen e veprës penale Mashtrim, duke e dënuar në kohëzgjatje prej 5 vitesh burgim.
Gazeta Online Veriu.info mëson nga burimet e saj se personi i dënuar është Jeton Mehmeti, emër i njohur i cili ishte akuzuar për mashtrim të shumë qytetarëve përmes një skeme mashtrimi me cigare Trokadero.
Veriu.info kishte raportuar ekskluzivisht për këtë ngjarje dhe rrjedhën e mëtejme të procesit gjyqësor ndaj Jeton Mehmetit, madje kishte realizuar edhe intervistë me të.
Mehmeti ishte arrestuar në mars të vitit 2024 nën dyshimin për mashtrim të personave tjerë në vlerë rreth 2 milionë euro.
Veriu.info kishte mësuar se fjala ishte për një skemë mashtrimi me cigaret Trokadero, ku i arrestuari dyshohet se iu kishte marrë para avans viktimave për t’iu sjellë cigare, por të cilat nuk ua ka sjellë asnjëherë.
Gazeta Online Veriu.info kishte mësuar nga burimet brenda prokurorisë se viktimat e këtij rasti ishin: Sami Jonuzi, Jeton Peci, Ilir Kelmendi, Ismet Zeqiri, Naim Hoxha, Ramush Salihu, Mensur Musa dhe Lavdim Kabashi, të cilët kanë denoncuar të dyshuarin.
Gazeta mësonte atëkohë se viktimat dyshohet se janë mashtruar në vlera të mëdha, disa nga ta me mbi 300 mijë euro.
Dje Gjykata Themelore e Mitrovicës njoftoi se i pandehuri J.M. është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale Mashtrimi nga neni 323 par.4, lidhur me nenin 77 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
“Pas administrimit të provave dhe vlerësimit të të gjitha rrethanave të çështjes, Gjykata e ka dënuar të pandehurin J.M. me dënim me burgim në kohëzgjatje prej pesë (5) viteve, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimi, si dhe dënim me gjobë në shumë prej 1500 (njëmijë e pesëqind) euro, të cilin dënim obligohet ta paguaj në afat prej 90 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimi. Në rast se i akuzuari nuk e paguan dënimin me gjobë në afatin e caktuar, Gjykata do të veprojë në bazë të nenit 43 paragrafi 3 të KPRK-së, ashtu që të pandehurit, dënimin me gjobë do t’ia zëvendësoj në dënim me burgim duke llogaritur për çdo 20 (njëzetë) euro gjobë të papaguar, me një (1) ditë burgim.” – thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Më poshtë gjeni raportimet nga Veriu.info lidhur me këtë rast:
Arrestohet vushtrriasi Jeton Mehmeti për mashtrim të qytetarëve në vlerë rreth 2 milionë euro












