Me fillimin e vitit të ri shkollor, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, ka intensifikuar dhe po vazhdon aksionet e inspektimeve për parandalimin e shitjes së cigareve elektronike te të miturit, veçanërisht në subjektet afariste në afërsi të institucioneve arsimore.
Sipas njoftimit gjatë ditës së sotme, ekipet e IQMT-së kanë zhvilluar 18 inspektime në disa rajone të Kosovës, përkatësisht në Prishtinë, Prizren, Fushë Kosovë, Rahovec, Istog, Shtime dhe Podujevë.
Në kuadër të këtyre inspektimeve, inspektorët kanë urdhëruar largimin e menjëhershëm të cigareve elektronike nga shitja në dyqanet pranë shkollave.
Për mosrespektim të dispozitave ligjore dhe urdhëresave të inspektorëve, IQMT ka shqiptuar 3 gjoba, ndërsa gjatë kontrolleve janë realizuar edhe 2 sekuestrime.
Aksionet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut për kontrollin e respektimit të dispozitave ligjore dhe mbrojtjen e të miturve do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në të gjitha regjionet e Kosovës, me qëllim të sigurimit të një mjedisi sa më të sigurt për fëmijët dhe nxënësit.














