Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka mbajtur të mërkurën një konferencë për media në Kuvendin e Kosovës, ku ka kërkuar që të thirret seanca për konstituimin e Kuvendit.
Gruda ka kritikuar partinë që ka fituar zgjedhjet, duke e akuzuar se po refuzon të marrë pjesë në procesin e konstituimit të institucioneve.
“Partia që ka fituar do të duhej të ishte në mes të Kuvendit, por ka vendosur të mos e respektojë Kushtetutën. Kushtetuta e Kosovës nuk është statut i Lëvizjes Vetëvendosje”, deklaroi Gruda.
Ai tha se situata aktuale është e pakuptimtë, pasi, sipas tij, kur një parti nuk i kishte votat, vinte në Kuvend për të propozuar, ndërsa tani që i ka votat, nuk po e bën një gjë të tillë.
“Logjika është e njëjtë, me blloku Kosovën. Dikur, kur s’i kishte votat, vinte me propozu, sot i ka votat dhe nuk vjen”, tha ai.
Në fund, Gruda paralajmëroi edhe për rrezikun që, sipas tij, mund të sjellë një pushtet që nuk respekton institucionet dhe Kushtetutën.
“Ky pushtet autoritar vjen edhe troket një ditë te ju”, u shpreh Gruda.













