Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar ministrin në detyrë të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, se nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen e Financimit për projektin e “Pastrimit”, duke thënë se për këtë arsye ka dështuar granti nga qeveria gjermane.
Rama ka bërë të ditur se Kryeqyteti ka marrë vendim për krijimin e Ndërmarrjes Komunale të Pastrimit, me qëllim zgjidhjen e problemit me mbeturinat.
Ai ka thënë se do të përdoren të gjitha kompetencat e Kryeqytetit dhe se kjo çështje do të trajtohet me urgjencë në seancën e radhës.
Postimi i plotë:
NDIHMA E QEVERISË GJERMANE PËR “PASTRIMIN” DËSHTOI. NUK E NËNSHKROI HEKURAN MURATI!
Të dashur qytetarë,
Atë që po e them tash e sa kohë, sot fatkeqesisht po e konfirmojnë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. KfW ka njoftuar se granti për “Pastrimin” dështoi sepse Ministria e Financave nuk e nënshkroi Marrëveshjen e Financimit.
Kaq!
E kemi ndihmën e Qeverisë gjermane. E kemi partnerin. E kemi projektin. E kemi nevojën urgjente.
Por Hekuran Murati nuk e nënshkruan.
Është e rëndë dhe e turpshme që para partnerëve tanë ndërkombëtarë duhet të shpjegojmë pse një projekt kaq i rëndësishëm për qytetarët tanë po dështon për shkak të Qeverisë sonë. Por qytetarët nuk mund t’i lëmë të paguajnë çmimin e këtyre bllokadave.
Prandaj kemi marrë vendim që të krijojmë Ndërmarrjen Komunale të Pastrimit! Do t’i përdorim krejt kompetencat që i kemi si Kryeqytet për ta zgjidhur këtë problem vetë. Pa pritur pafund.
Situata me mbeturinat është e rëndë dhe qytetarët me të drejtë kërkojnë zgjidhje.
Dhe zgjidhje do të bëjmë. Menjëherë. Me urgjencë, në seancën e radhës të Kryeqytetit.














