Policia e Kosovës ka zhvilluar një procedurë të negociuar me karakter “ekstrem emergjent”, pa publikim të njoftimit për kontratë, për sigurimin e shërbimeve të ushqimit për nevojat e saj. Aktiviteti i prokurimit titullohet “Shërbimet emergjente me Ushqim (Furnizim, Përgatitje dhe Servim) për nevojat e PK-së”, shkruan Kujdestari.info.
Kontrata i është dhënë kompanisë “Beni Dona Plast” Sh.P.K., kompani e cila është në pronësi 100 për qind të Ragip Mustafës. Mustafa është anëtar i Këshillit Drejtues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe mban numrin 106 në listën e kësaj partie.
Sipas njoftimit mbi vendimin e Autoritetit Kontraktues, “Beni Dona Plast” ishte operatori ekonomik pjesëmarrës, ndërsa oferta është paraqitur me vlerën 52.36 euro. Dokumenti sqaron se bëhet fjalë për çmimin e ofertës sipas njësive të përcaktuara në tender, jo për vlerën totale që Policia do ta paguajë gjatë gjashtë muajve.
Vlera e parashikuar e kësaj kontrate është 800 mijë euro

Çfarë parasheh tenderi?
Dosja e tenderit tregon se Policia po kontrakton përgatitjen, furnizimin dhe servimin e ushqimit. Ushqimi do të përgatitet në kampet Vrella dhe Belvedere, por operatori duhet të jetë në gjendje të ofrojë ushqim edhe në terren, në gjithë territorin e Kosovës, sipas kërkesave të Policisë. Në Belvedere pajisjet e kuzhinës janë të Policisë, ndërsa në Vrellë operatori duhet ta sigurojë komplet kuzhinën për përgatitjen e ushqimit.
Lista e ushqimeve është e gjerë dhe ndahet në pako të ndryshme. Ajo përfshin, ndër të tjera, racione me mish viçi, pasul me mish, makarona bolonjeze, peshk, bukë integrale, ujë, lëngje, fruta, sallata dhe produkte të tjera ushqimore. Tenderi është konceptuar si kontratë publike kornizë me çmime për njësi, që do të thotë se sasitë janë indikative dhe Policia bën porosi sipas nevojës.
Shërbimet nuk kufizohen vetëm në dy kampet. Sipas dokumentacionit, furnizimi me ushqim duhet të mundësohet në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë stacionet policore me qendra të mbajtjes, ndërsa operatori duhet të jetë në dispozicion edhe për nevojat e Policisë në terren.
Kontrata emergjente është paraparë të zgjasë gjashtë muaj nga hyrja në fuqi. Megjithatë, Policia ka përcaktuar se ajo mund të ndërpritet automatikisht nëse ndërkohë nënshkruhet kontrata që zhvillohet përmes procedurës së hapur të prokurimit, pa të drejtë kompensimi për operatorin aktual.
Kontrata emergjente vjen pas anulimit të tenderit 2.7 milionësh, OSHP kishte kritikuar Policinë për zvarritje dhe procedura të vazhdueshme emergjente
Kontrata emergjente gjashtëmujore për ushqim që Policia e Kosovës ia ka dhënë kompanisë “Beni Dona Plast” vjen pas një historie të gjatë me procedurën e rregullt të prokurimit për të njëjtat shërbime.
Policia kishte hapur fillimisht një procedurë të rregullt për “Shërbimet me Ushqim (Furnizim, Përgatitje dhe Servim) për nevojat e PK-së”, me vlerë të parashikuar prej 2.7 milionë eurosh. Megjithatë, më 27 shkurt 2026, aktiviteti ishte anuluar me arsyetimin se nuk kishte mbetur asnjë ofertë e përgjegjshme.
Një nga operatorët pjesëmarrës ishte pikërisht “Beni Dona Plast”. Policia e kishte eliminuar kompaninë duke pretenduar se ajo kishte ofruar çmime “shumë herë më të larta” se çmimet reale të tregut. Sipas qëndrimit të Policisë të paraqitur para OSHP-së, një hulumtim i tregut kishte konstatuar se oferta e kompanisë ishte rreth 30 për qind më e lartë se çmimet reale të tregut.
“Beni Dona Plast” ishte ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Në maj, OSHP-ja vendosi që anulimi i procedurës nga Policia të mbetej në fuqi, por njëkohësisht i dha Policisë një vërejtje të fortë për mënyrën se si ishte menaxhuar ky prokurim.
Paneli Shqyrtues vuri në pah edhe një kundërthënie: sipas vendimit, Policia kishte pranuar çmime më të larta nga i njëjti operator në procedura të mëparshme të negociuara pa publikim, ndërsa në procedurën e hapur disa prej këtyre çmimeve i kishte konsideruar të larta krahasuar me tregun. OSHP-ja e cilësoi si të papranueshme që për disa artikuj çmime më të larta të pranoheshin në procedurën e negociuar, ndërsa të konsideroheshin të larta në procedurën e hapur.
Edhe më e rëndësishme, OSHP-ja kritikoi Policinë për prolongimin e procedurës së hapur, duke konstatuar se, në mungesë të kontratave të rregullta, Policia kishte vazhduar me inicimin e procedurave emergjente. Paneli tha se veprime të tilla të vazhdueshme “cenojnë parimet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme”, ndërsa vërejtjen e cilësoi si të fundit.
Pavarësisht kësaj historie, më 28 gusht 2026 Policia ka hapur përsëri tenderin e rregullt për të njëjtat shërbime. Edhe ky është përcaktuar si ritender, ndërsa kontrata publike kornizë parashihet të zgjasë 36 muaj.
Vlera e parashikuar e këtij ritenderimi është sërish 2.7 milionë euro, ndërsa procedura është e hapur. /Kujdestari.info/













