Njohësi i çështjeve të arsimit, Agon Ahmeti, ka reaguar pas rezultateve të fundit të testit PISA, duke vënë theksin te një shembull konkret.
Ahmeti ka marrë si shembull një pyetje të thjeshtë nga matematika: një nxënës duhet të shkojë në qytet dhe ka dy mundësi.
Rruga A është 30 kilometra deri në një fshat dhe më pas edhe 40 kilometra deri në qytet, ndërsa Rruga B është 60 kilometra drejtpërdrejt në qytet.
Pyetja është e thjeshtë: Cila rrugë është më e shkurtër?
Përgjigjja është Rruga B, pasi Rruga A në total ka 70 kilometra, ndërsa Rruga B vetëm 60 kilometra.
Mirëpo, sipas rezultateve të PISA-s, 85 për qind e nxënësve kosovarë kanë dështuar në matematikë.
Ahmeti ka vënë në pah pikërisht këtë shembull për të shpjeguar se çfarë nënkupton kjo në praktikë.
“Fatkeqësisht, 85% e nxënësve janë të prirur me zgjedh rrugën A sepse nuk arrijnë me kuptu që fillimisht duhet me i mbledh sa bëjnë 30+40 për me kuptu që rruga B është 10 km më e shkurtër”, ka shkruar Ahmeti.
Sipas tij, problemi nuk qëndron vetëm te mosnjohja e një formule matematikore, por te pamundësia për ta përdorur një njohuri të thjeshtë për të zgjidhur një situatë të përditshme.
“Analfabetizmi funksional drejt totalitetit”, ka shkruar Ahmeti, duke komentuar rezultatet e PISA-s.














