Kryetari i komunës së Fushë Kosovë, Valon Prebreza, ka deklaruar se sapo të kthehet nga udhëtimi zyrtar do ta lirojë nga detyra drejtorin e pronës në këtë komunë Gëzim Zogjani, i cili u arrestua bashkë me disa zyrtarë tjerë komunalë.
Kjo deklaratë ka nxitur reagimin e avokatit të drejtorit Zogjani, Faton Hyseni, i cili përmes një letre ka shprehur reagim zyrtar ligjor ndaj deklaratës së kryetarit Prebreza, duke e cilësuar lirimin nga detyra në kundërshtim me parimet bazë të drejtësisë dhe kushtetutshmërisë, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Në letrën e siguruar nga Veriu.info si arsye shtesë jepet edhe vendimi i Gjykatës që ka refuzuar paraburgimin për drejtorin Zogjani.
Kryetari Prebreza duket se ka harruar që partia të cilës i takon mban në pozita të larta politike e drejtuese njerëz me aktakuza e procese gjyqësore, por një rast të tillë pa asnjë përfundim gjyqësor do ta shfrytëzojë për PR politik.
Kujtojmë që një nga parimet bazë të ligjshmërisë është prezumimi i pafajësisë që në rastin e drejtorit Zogjani duket se nuk po merret parasysh.















