Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka vlerësuar se ish-krerët e UÇK-së ia kanë dal dhe një herë ta zgjojnë ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve.
Ajo ka bërë me dije se ata e kanë rikthyer fuqishëm vëmendjen te vlerat e luftës çlirimtare.
Në profilin e saj në Facebook, Musliu ka shkruar se tani është radha të miratohet Ligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ia dolën edhe një herë ta zgjojnë ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve dhe ta kthejnë fuqishëm vëmendjen te ajo që nuk guxojmë ta harrojmë: vlerat e luftës së UÇK-së dhe e drejta jonë e shenjtë për liri. Tash është radha jonë. Këtë zgjim qytetar duhet ta kthejmë në vendim institucional. E kemi për detyrë ta votojmë Ligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës, sepse liria nuk mund të mbrohet vetëm me fjalë. Kushdo që tenton ta përbaltë, cenojë apo poshtërojë luftën dhe sakrificën mbi të cilën u ndërtua liria e Kosovës, duhet të përballet me ligjin”, ka shkruar ajo.












