Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka kundërshtuar interpretimin se Kuvendi është konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e PDK-së.
Gruda ka thënë se, sipas Kushtetutës dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve.
Ai ka theksuar se PDK-ja nuk ka hequr dorë nga e drejta për të propozuar nënkryetarin, por vetëm është përmbajtur përkohësisht nga ushtrimi i saj, duke kërkuar sqarim nga Gjykata Kushtetuese.
“Askush nuk mund të përfitojë nga shkelja e vet”, ka shkruar Gruda, duke akuzuar Vetëvendosjen se ka shkelur afatet kushtetuese dhe më pas po tenton që, përmes këtij interpretimi, t’ia mohojë PDK-së të drejtën e saj.
Gruda ka paralajmëruar se PDK-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe do ta respektojë vendimin e saj.














