Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Komunës së Suharekës, E.Sh. dhe B.K., nën dyshimin se gjatë menaxhimit dhe mbikëqyrjes së dy kontratave publike kanë pranuar dhe certifikuar punime të cilat, sipas aktakuzës, nuk ishin realizuar në përputhje me kontratat.
Bëhet fjalë për ish-drejtorin e Shërbimeve Publike, Enver Shabanin, dhe zyrtarin për menaxhimin e projekteve dhe menaxherin e kontratës, Berat Kabashin.
Sipas aktakuzës, rasti i parë lidhet me një kontratë të vitit 2022, ku dy zyrtarët dyshohet se kanë pranuar si të realizuara punime që nuk ishin kryer sipas kontratës, ndërsa ndryshimet në pozicionet dhe lokacionet e punimeve nuk ishin proceduar në pajtim me rregullat e prokurimit publik.
Këto veprime, sipas Prokurorisë, i kanë sjellë operatorit ekonomik përfitim prej 8,301.78 euro, duke i shkaktuar Komunës së Suharekës dëm në të njëjtën shumë.
Rasti i dytë lidhet me një kontratë të vitit 2021. Edhe në këtë rast, sipas aktakuzës, Shabani dhe Kabashi nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre gjatë menaxhimit dhe mbikëqyrjes së kontratës, duke pranuar punime që nuk ishin realizuar sipas kontratës dhe duke mos i proceduar ndryshimet kontraktuale sipas rregullave të prokurimit.
Dëmi i pretenduar në këtë rast është 1,661.20 euro.
Në aktakuzë janë përfshirë edhe persona përgjegjës të operatorëve ekonomikë, të cilët, sipas Prokurorisë, nuk i kanë realizuar të gjitha punimet e kontraktuara dhe kanë paraqitur dokumentacion për punime të kryera.
Prokurori i çështjes ka kërkuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Për personat zyrtarë është propozuar edhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik, ndërsa për personat juridikë është propozuar ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë.
Insajderi kishte raportuar edhe më herët për Enver Shabanin dhe Berat Kabashin. Të dy zyrtarët ishin arrestuar lidhur me dyshimet për keqpërdorime në tenderët e Komunës së Suharekës. Më pas, ndaj tyre ishin ngritur edhe aktakuza në raste të tjera që lidhen me menaxhimin e kontratave publike.













