Në prag të shpalljes së verdiktit final nga Dhomat e Specializuara në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, në Prishtinë është mbajtur konferenca kombëtare “Lufta për UÇK-në”, e organizuar nga platforma qytetare “Liria ka Emër”.Ish-ambasadori Ylber Hysa ka deklaruar se, nëse një pretendim i tillë makabër është dashur ta shokojë botën, atëherë shtrohet pyetja pse nuk e ka shokuar botën dhunimi industrial gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
Ai ka përmendur edhe të ashtuquajturin “safari mbi njerëz” në Sarajevë, duke pyetur pse një rast i tillë nuk është konsideruar po aq makabër sa të organizohej një gjyq ndërkombëtar.“Dhe këtu, domethënë, është cinizmi i krejt këtij gjyqi. Sa më përket mua, pa marrë parasysh cili do të jetë vendimi më datën 16, për faktin se ky gjyq e ka zhvlerësuar veten, jo vetëm se është anakronik, por se i ka shkelur edhe rregullat profesionale për të cilat zoti Hasani do të mund të fliste më shumë sot”, ka deklaruar Hysa.
Ai ka thënë se zhvillimet rreth këtij procesi duhet të shërbejnë si ndërgjegjësim për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.“Dhe si i tillë besoj se kjo duhet të na japë neve një ndërgjegjësim për t’i mbrojtur vlerat e luftës çlirimtare mbi të cilat është ndërtuar ky shtet. Dhe unë jam i prirur, domethënë, që në kuadër të kësaj të shoh edhe një përpjekje tonën për një mobilizim, për një mobilizim për ta mbrojtur veten. Ne nuk i mbrojmë vetëm katër liderët e UÇK-së”, ka thënë ai.
Hysa ka theksuar se mbrojtja e këtyre vlerave nuk duhet të jetë çështje e dallimeve politike apo ideologjike.“Dhe këtu, domethënë, s’besoj që ka dallim politik e ideologjik. Këtu ne mbrojmë vlerat tona dhe kushdo që mendon ndryshe, domethënë, ai ka shikime shumë afatshkurtra. Dhe dua të them edhe një herë, në ’99-ën kemi qenë aleatë me NATO-n dhe edhe më 16 shtator do të duhej të ishim aleatë të këtyre vlerave”, ka përfunduar Hysa.














