Dogana e Kosovës, gjatë kontrolleve rutinore në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, ka parandaluar tentativën për shmangie të detyrimeve doganore përmes mosdeklarimit të mallrave.
Gjatë kontrollit të hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës, zyrtari doganor ka ndaluar për kontroll një automjet, i cili kishte hyrë me shpejtësi të lartë në territorin e Kosovës. Pas pyetjes së zyrtarit doganor nëse udhëtari kishte mallra apo vlera monetare për të deklaruar, shtetasi i huaj nuk ka deklaruar asnjë mall.
Bazuar në dyshimet e ngritura gjatë kontrollit fillestar, automjeti është orientuar në vijën e dytë për kontroll të detajuar. Gjatë kontrollit të automjetit, zyrtarët doganorë kanë zbuluar katër (4) orë dore të markës Rolex, me vlerë të përafërt prej 33,000 euro.
Mallrat janë ndaluar përkohësisht në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë dhe rasti është duke u trajtuar në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi, deri në përfundimin e procedurave doganore.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin e kontrabandës dhe shmangies së detyrimeve doganore, mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës dhe garantimin e zbatimit të barabartë të legjislacionit për të gjithë udhëtarët dhe operatorët ekonomikë.












