Pavarësisht se në konferencën e sotme Albin Kurti përdori sërish emrin e profesor Bekim Sejdiut duke i kërkuar marrëveshje PDK-së e Bedri Hamzës për Sejdiun president, ky i fundit ka konfirmuar ekskluzivisht për Gazetën Infokus se nuk është më pjesë e garës për këtë post.
Profesor Sejdiu ka bërë të ditur se për vendimin e tij i ka njoftuar sërish krerët e LDK-së, por edhe vetë kryeministrin Albin Kurti, duke ua bërë të qartë se është tërhequr nga procesi për zgjedhjen e presidentit.
Ai ka treguar se në proces kishte hyrë në një kombinim politik ku LDK-ja do të ishte propozuese, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje mbështetëse, duke shtuar se komunikimet kryesore i kishte zhvilluar me drejtuesit e LDK-së.
Sejdiu ka treguar për Infokusin se është i gatshëm t’ua dërgojë drejtuesve të LDK-së edhe mesazhin përmes të cilit i kishte njoftuar për qëndrimin e tij. Ai ka theksuar se nuk e konsideron të denjë që dikush të zgjidhet president vetëm për të shmangur zgjedhjet dhe se posti duhet t’i takojë dikujt që e meriton.
“Nëse dojnë këta të LDK-së, mundem me ua dërgu edhe mesazhin që ua kam dërguar dhe unë ju kam thënë kështu: më së pari nuk konsideroj që është e denjë me u zgjedh president dikush që zgjedhet vetëm me i shmang zgjedhjet, president duhet të zgjedhet dikush që e meriton atë pozitë. Dhe dmth as me ndërlidhjen me tema të tjera që janë të rëndësishme për këtë vend. E dyta, unë kam hyrë në një kombinim politik LDK-VV dhe e kisha mirëprit përkrahjen e të gjithëve. Partitë politike në përgjithësi kanë pasë fjalë të mira për mua si kandidat dhe e çmoj edhe faktin se edhe një pjesë e gazetarëve dhe opinionit publik kanë pasur vlerësim pozitiv për mua. Mirëpo, meqë unë nuk i kam pasur votat, unë jam tërheq nga kjo garë. Për më tepër, në këtë proces me kaq shumë drama, unë nuk kam qenë në Kosovë fare këto ditë. E çmoj shumë besimin dhe vlerësimin nga të gjithë, por unë nuk jam më pjesë e këtij procesi”, ka deklaruar Bekim Sejdiu ekskluzivisht për Gazetën Infokus.
Deklarimi i Sejdiut vjen pasi emri i tij është rikthyer në diskutimet për zgjedhjen e presidentit, ndërsa ai këmbëngul se LDK-ja dhe kryeministri Kurti janë njoftuar drejtpërdrejt prej tij se është tërhequr nga gara dhe nuk është më pjesë e procesit.
Kurti emrin e Sejdiut e përmendi edhe sot në konferencë në ditën e fundit kur kanë mbëtur edhe pak orë në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit./Gazeta Infokus















