Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike mbrëmjen e së martës, në të cilën ka miratuar një sërë projektligjesh, programesh dhe vendimesh.
Në këtë mbledhje është miratuar Programi i Projektligjeve të Qeverisë për vitet 2026–2028, si dhe Projektligji për Regjistrimin e Bujqësisë, i cili përcakton mënyrën e organizimit dhe zbatimit të regjistrimit të bujqësisë në Kosovë, përfshirë mbledhjen, përpunimin, ruajtjen dhe publikimin e të dhënave statistikore.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për themelimin e Komisionit Qendror për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësi të tjera, në kuadër të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent.
Po ashtu, është themeluar Komisioni për përzgjedhjen e tre kandidatëve për anëtarë të jashtëm të Bordit të Pavarur për Masat e Përkohshme për Produktet Themelore, në raste të veçanta të destabilizimit të tregut.
Në mbledhje është miratuar edhe Koncept-dokumenti për Fushën e Akreditimit, i cili synon zhvillimin e infrastrukturës së cilësisë dhe përafrimin e legjislacionit me kërkesat e Bashkimit Evropian në fushën e akreditimit.
Qeveria ka marrë vendim edhe për rialokimin e mjeteve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, në kuadër të projekteve të bashkëfinancimit me kuvendet komunale.
Ndër vendimet e tjera është edhe miratimi i Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike në Kosovë për vitet 2026–2027, si dhe Programit Vjetor 2026 për Rezervat Shtetërore të Mallrave.
Në mbledhje është miratuar edhe Projektligji për Efiçiencë të Energjisë, i cili përcakton masat dhe objektivat për rritjen e efiçiencës, kursimin e energjisë, sigurinë energjetike, mbrojtjen e mjedisit dhe luftimin e varfërisë energjetike.
Në fund, Qeveria ka miratuar kërkesën e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për konfirmimin e interesit të përgjithshëm publik në ushtrimin e aktiviteteve përkatëse nga ndërmarrja publike “Trepça” Sh.A.














